Konjufca në Tiranë: Serbia është armiqësore ndaj nesh, kërkojmë që Shqipëria të jetë në një kornizë me ne

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konufca ka kërkuar në Tiranë që Shqipëria dhe Kosova të jetë brenda së njëjtës kornizë sa i takon qasjes ndaj Serbisë. Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, Konjufca tha se Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Megjithatë ai tha me bindje se Kosova nuk lëshon pe, pavarësisht se është por paqes dhe dialogut.

“Në jemi dy shtete, por jemi popull me një interes të përbashkët. Edhe zyrtarët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdimisht kanë vepruar me këtë vetëdije kombëtare. Natyrisht që arritjet dhe bashkëpunimi është i thellë, por edhe sfidat janë serioze. Pas shkurtit bota është më e pasigurt. Por në të njëjtën kohë agresioni i papranueshëm mbi Ukrainën ka nxitur unitetin e botës demokratike.

Serbia e Vuçiçit nuk ka ndryshuar në drejtim politik, por vetëm mjetet prej kohës së Millosheviçit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Mohon pavarësisë dhe së fundmi e patë sesi presidenti nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës. Ne duam që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize sa i përket gjykimit për Serbinë. Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat. Ne jemi për paqe dhe dialog, or nuk do të lëshojmë pe. Por i gëzohemi edhe çdo arritje të Shqipërisë, siç është hapja e negociatave. Rrugën e kemi të njëjtë”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit të Kosovës falënderoi gjithashtu Shqipërinë për mbështetjen për çështje me rëndësi si liberalizmi i vizave. Konjufca tha se fundi i vitit do t’i gjejë shqiptarët e Kosovës me viza të liberalizuara.

Dua t’ju falënderoj për këtë mikpritje të ngrohtë. Kontributi dhe ndihma juaj janë për tu çmuar. Në çdo rast që ju jepet edhe në takime të niveleve të rëndësishme e ngrini vazhdimisht çështjen e Kosovës, duke i qëndruar siç keni qenë gjithnjë afër. Edhe sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja dhe të gjitha iniciativave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe evropiane. Edhe po ashtu edhe lobimi juaj i pandalshëm për liberalizimin e vizave të Kosovës. Përpjekje që po japin rezultatet e para. Qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dyshim që fundi i vitit do ti gjejë me heqjen e këtij regjimi të padrejtë”, tha ai.

Ndërkaq, Nikolla vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve dhe theksoi se Shqipëria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për çështjet e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu