Koreja e Veriut kërcënon SHBA,“Raprezalja e Koresë së Veriut do t’iu shkaktojë SHBA-ve dhimbjet dhe vuajtjet më të mëdha të historisë së saj”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të paguajnë një çmim të shtrenjtë, nëse miratohen sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut në Këshillin e Sigurimit.

Ministria e Jashtme e Koresë komuniste, përmes një komunikate për shtyp tha se, nëse Amerika arrin të miratojë sanksionet e jashtëligjshme, Peniani do të përgjigjet në mënyrë reciproke.

“Raprezalja e Koresë së Veriut do t’iu shkaktojë SHBA-ve dhimbjet dhe vuajtjet më të mëdha të historisë së saj”, shkruhej në komunikatë.

Kërcënime të tilla janë të zakonshme nga vendi më i izoluar, sidomos këtë herë që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të miratojnë sanksione vërtet të ashpra, si embargoja e naftës dhe bllokada e pjesshme detare.

Madje, një nga propozimet e Amerikës është kontrolli i anijeve të Koresë së Veriut për materiale të ndaluara, diçka që mund të sjellë shkëmbim zjarri. Ndërkohë, megjithëse nuk është pjesë e diplomacisë për vet faktin se është aleancë ushtarake, NATO tha se reagimi ndaj Koresë së Veriut duhet të jetë global.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg refuzoi të thotë nëse një sulm i mundshëm korean ndaj ishullit amerikan të Guamit do të vërë në lëvizje NATO-n, por tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut është një kërcënim global dhe kërkon një përgjigje të tillë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu