Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, i ka dërguar një mesazh të qartë autoriteteve serbe lidhur me paralajmërimin se krimineli i dënuar i luftës, Ratko Mlladiq, mund të varroset me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore, njofton “Bloomberg”.
Në Forumin Strategjik të Bledit, Kos rikujtoi se Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, përcjell INA.
“Glorifikimi i Ratko Mlladiqit, një kriminel i dënuar i luftës, është në kundërshtim me vlerat me themelore evropiane dhe nuk ka vend për këtë në Bashkimin Evropian, e as në vendet që duan të bëhen anëtare të saj. Shpresoj që Qeveria në Beograd të jetë e vetëdijshme për atë që është në lojë dhe me çfarë po bën bixhoz,” tha Kos.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian do t’i ndjekë me kujdes zhvillimet e mëtejshme dhe hapat e autoriteteve serbe.
„Kjo do të jetë gjithashtu baza mbi të cilën do të vlerësojmë ecurinë e ngjarjeve,“ deklaroi Kos.
Mesazhi i saj erdhi pasi ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, deklaroi se Ratko Mlladiq ka të drejtë për nderime ushtarake dhe shtetërore.
„Gjenerali Mlladiq është gjeneral dhe protokollet dihen. Roli i tij është gjithashtu i njohur, por ajo që i takon gjeneralit Mlladiq me siguri do të respektohet. Vërej se Republika Srpska nuk është ajo që vendos këtu, familja gjithashtu do të vendosë për vendin ku do të varroset pasi kjo është çështje e familjes së tij,“ deklaroi ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, për Televizionin Alternativ (ATV) në Banja Llukë.
Ai pret që Tribunali i Hagës t’u japë një afat të caktuar kohor për t’u përgatitur për procedurat dhe shtoi se nëse u thuhet të vijnë nesër, që në mëngjes do të jenë në Hagë për të marrë trupin e Mlladiqit.
Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Ai ishte komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Srpska nga viti 1992 deri në vitin 1996. U arrestua në Serbi në maj të vitit 2011 dhe më pas u ekstradua në Tribunalin e Hagës. Në vitin 2021, paneli i apelit i Mekanizmit konfirmoi vendimin e shkallës së parë me të cilin ai u dënua me burgim të përjetshëm, ku ditë më parë ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare.(INA)










