“Kosova po humbet kredibilitetin”, Eurodeputetja Viola Von Cramon kritika për qëndrimet e Prishtinës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për veprimet që ka ndërmarrë në lidhje me tensionet në veri të vendit.

Në një intervistë në TËVË 1, eurodeputetja akuzoi Prishtinën se po i drejton gishtin Serbisë si fajtore për situatën e krijuar, edhe pse ajo vetë nuk i ka përmbushur detyrimet e saj.

Kosova është mirë të fokusohet më shumë tek vetja dhe t’i kryejë obligimet që i ka marrë përsipër. Ju nuk bëni kurrfarë ndryshimi nëse e drejtoni gishtin diku tjetër. Së paku ky është qëndrimi i institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian. Nëse Kosova dëshiron të bëhet një lojtare e rëndësishme në mesin e komunitetit ndërkombëtar, atëherë duhet ta dëshmojë fillimisht se është një lojtare kredibile, por këtë nuk është duke e treguar”, tha ajo.

Si zgjidhje e mundshme për qetësimin e situatës, zyrtarja e lartë e Brukselit ka propozuar tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Do të ishte veprim i duhur që të largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri. Para se të flisni për palën serbe është më mirë që fillimisht t’i kryeni detyrat e juaja”, theksoi ajo.

Qeveria e Kosovës ka tërhequr aktualisht 50 për qind të njësive speciale nga katër komunat e veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu