Kosova sërish para bllokadës politike? Si po zbehen gjasat për krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkurën e fundit ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit pas shqyrtimit të të gjitha ankesave si nga PZAP ashtu edhe nga Gjykata Supreme. Pas certifikimit të rezultateve, partitë politike kanë plotësisht 30 ditë kohë për ta konsitutuar Kuvendin si hap i parë për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, ku partitë politike në vend kanë “çaluar” më parë. Mos-zgjedhja e Presidentit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e dërgoi vendin në zgjedhje të reja, ndërkaq secila parti politike kishte qëllimin që do të rriste rezultatin por që kjo nuk ndodhi tek VV e PDK, ndërkaq LDK u rrit për 3%.

Por, edhe rezultati i korrur më 7 qershor, nuk i mundësoi asnjërës parti që të zgjidh ngërçet në të 3 institucionet pa bashkëpunim. Kërkesa për bashkëpunim e bëri kryeministrin në detyrë Albin Kurti që të thërrasë në takim liderët e partive të tjera politike, që të gjejnë në zgjidhje për Presidentin. Ftesës që dërgoi ai të enjten, iu përgjigjen pozitivisht lideri i PDK-së Bedri Hamza dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, ndërkaq ai i Aleancës, Ardian Gjini nuk shkoi në takim. Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se kërkesat e tyre për bashkëpunim me Kurtin i kishin bërë publike ditë më parë, dhe se kuorumin për President do t’ia siguronin vetëm nëse Kurti pajtohej me ato kërkesa.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini në Facebook.

Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale. Lidhur me postin e Presidentit, Gjini potencoi se ndonëse Aleanca konsideron se Kosova nuk do të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, ky fakt nuk përbën kusht për procesin. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje mes partive të tjera rrezikon ta çojë vendin në krizë permanente.

“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës. Ne nuk mund të pajtohemi që Kosova të mbetet në krizë”, tha Gjini. Këtë refuzim të ftesës për takim, e ka komentuar Kurti para mediave, ai tha se kjo nuk është në rregull. “LVV është fituese e zgjedhjeve, ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim se do të jemi bashkë në institucione.

Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar siç është AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, tha Kurti. Takimi mes Kurtit dhe Hamzës u zhvillua të premten, ndërkaq ai nuk solli rezultat. Hamza pasi doli nga takimi tha se PDK ka vendosur që të qëndroj në opozitë. “Sapo e përfunduam takimin me z.Kurtin. Ju e dini qëndrimin tim që ka qenë publik, që PDK ka garuar me një program, ka garuar me prioritete të cilat kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, me fushën e mirëqenies sociale, duke përfshirë rritjen e pagave, pensioneve dhe gjitha pagesave të tjera, me projekte në energji dhe infrastrukturë dhe ky ka qenë prioriteti ynë që ne të bëjmë punë dhe veprime se si ta përmirësojmë këtë vend dhe si ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Për t’i zbatuar këto prioritete, kemi thënë që PDK nuk ka vija të kuqe, është e hapur për të biseduar pa u imponuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë gjitha institucionet. Bazuar në bisedat dhe diskutimet që i kemi pasur, normalisht korrekte, është që PDK në këtë mandat të jetë në opozitë dhe ne ju dëshirojmë sukses z.Kurti dhe gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, matematikisht ka mundësi që të bëhet kompletimi i gjitha institucioneve. Këtu është pozita e PDK-së. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit, në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës.”, tha Hamza.

Qëndrimi

Pas këtij takimi, Kurti tha se nuk kanë ndonjë rezultat konkret. “Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret që do mund ta ndaja me publikun. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, asnjëherë në pranverë e ishte hera e parë në këtë verë e uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të vazhdojë”- deklaroi Kurti më 10.07.2026. Ai gjithashtu tha edhe se zgjedhja e Presidentit nuk është obligim vetëm i partisë fituese. “Zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, është menduar që të bëhet në bashkëpunim me partitë tjera.

Jemi për figurë konsensusale, që ka vlera të dëshmuara kombëtare, qytetare dhe profesionale”- deklaroi Kurti. Takimi mes Kurtit e Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit u zhvillua pak orë më vonë pas atij të Kurtit dhe Hamzës. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se në takimin me Kurtin, është diskutuar për stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Abdixhiku tha se palët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Sipas kreut të LDK-së, diskutimet janë përqendruar te parimet dhe jo te emrat konkretë. Këtë javë, nuk dihet ende nëse do të ketë takime të reja mes Kurtit e Abdixhikut, por që kjo pritet të ndodh për shkak se të dy kanë lënë vend për takime të radhës. Moszgjedhja e Presidentit edhe pas këtyre zgjedhjeve do ta dërgonte vendin në një situatë të rëndë politike duke bllokuar të ardhmen e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu