Kosovari humb lejen e qëndrimit në Zvicër pas më shumë se një viti mungesë

Gjykata Federale e Zvicrës e ka konfirmuar shuarjen e lejes së përhershme të qëndrimit për një shtetas të Kosovës, i cili nuk arriti të dëshmonte se kishte qëndruar në shtetin zviceran gjatë periudhës kur ishte zhdukur nga autoritetet.

Kosovari, i cili jeton në Zvicër që nga viti 1998, ka humbur lejen e përhershme të qëndrimit C, pasi për më shumë se një vit nuk kishte qenë i qasshëm për autoritetet dhe nuk arriti të dëshmonte praninë e tij, raporton albinfo.ch, transmeton Klankosova.tv

Burri kishte marrë lejen C në vitin 2008.

Megjithatë, gjatë viteve të mëvonshme ishte dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, përfshirë punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj, lëndimin trupor ndaj ish-bashkëshortes, shkeljen e ligjit për armët dhe falsifikimin e dokumenteve.

Pavarësisht disa paralajmërimeve nga autoritetet për mundësinë e tërheqjes së lejes, çështja përfundoi me shuarjen e saj.

Në mars të vitit 2022, ai u dëbua nga banesa e tij në Friburg.

Në atë kohë, autoritetet nuk arrinin më ta gjenin: telefoni i tij ishte çaktivizuar, letrat mbetën dhe ish-bashkëshortja deklaroi se nuk kishte më kontakte me të, shkruan Berichterstatter.ch.

Në shtator të po atij viti, emri i tij u hoq nga regjistri i banorëve.

Vetëm në mars të vitit 2023 ai u paraqit vullnetarisht në polici, por nuk mundi të deklaronte një adresë të përhershme.

Në tetor të vitit 2023, u arrestua në një kantier ndërtimi për të vuajtur dënimet me burg. Pas lirimit me kusht, në shkurt të vitit 2025, ai u vendos në kantonin e Bernës, ku jeton me partneren e re dhe fëmijën e tyre të përbashkët.

Autoritetet e Friburgut konstatuan se leja e tij e qëndrimit kishte humbur vlefshmërinë automatikisht, pasi ai nuk kishte dëshmuar praninë në Zvicër për më shumë se gjashtë muaj, nga marsi i vitit 2022 deri në tetor të vitit 2023, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas ligjit zviceran për të huajt dhe integrimin, leja e përhershme e qëndrimit C shuhet me ligj nëse mbajtësi largohet nga Zvicra dhe qëndron jashtë vendit për më shumë se gjashtë muaj, pa e njoftuar largimin dhe pa kërkuar ruajtjen e lejes.

Në këtë rast, shtetasi kosovar nuk arriti të paraqiste dokumente që do të dëshmonin praninë e tij në Zvicër, si kontratë banimi, kontratë pune, fatura apo gjoba.

Ndërkohë, mundësia që ai të përfitojë një leje të re qëndrimi për shkak të familjes së krijuar në kantonin e Bernës nuk ishte objekt i këtij procesi dhe duhet të shqyrtohet veçmas nga autoritetet e atij kantoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu