Kosovë, fillon numërimi i votave me postë

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate në Kosovë në këto momente ka filluar procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë arritur përmes postës gjatë periudhës së votimit 19 shtator – 5 tetor 2019.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi numërimi i këtyre votave është paraparë të përfundojë nesër dhe se kohë pas kohe rezultatet do të bëhen publike në uebfaqen e KQZ-së.

Ai madje ka thënë se në këtë numërim të votave që kanë ardhur me postë nuk janë përfshirë mbi 4 mijë vota e ardhura me postë pas përfundimit të afatit ligjor.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së ky numërim fillon pas vlerësimit që i është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës.

“Gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijë 491 janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar. Arsyet se përse janë refuzuar rreth 2 mijë e 700 persona janë si në vazhdim: 1 mijë e 74 persona që nuk kanë aplikuar në periudhën për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, 204 aplikues të cilët janë refuzuar gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, 62 persona të cilët janë dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë; 797 raste të tjera kur personat që nuk janë identifikuar që kanë dërguar fletëvotim dhe 561 persona që nuk e kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit, pra që kanë dërguar kopje të dokumenteve me afat të skaduar”, tha Elezi.

Lidhur me pakot që kanë ardhur nga Serbia, Elezi shtoi se ato janë në proces hetimor dhe KQZ do njoftoj ndërkohë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu