Kovaçevski dhe Mickoski sot takohen për të biseduar për propozimin francez

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do të takohet me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Temë e bisedës do të jetë propozimi francez për fillimin e bisedimeve hyrëse të Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Pas marrjes së propozimit, kryeministri Kovaçevski paralajmëroi konsultime të gjera me partnerët e koalicionit, presidentin e shtetit, parlamentin, sektorin civil, por edhe me opozitën.

“Ky është një prej takimeve konsultative të planifikuara, si pjesë nga konsultimi i gjerë për propozimin e udhëheqësisë franceze. Kryeministri paralajmëroi se çdo vendim për propozimin do të miratohet nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve në interes të të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesë.

Mbrëmë, nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së opozitare para Qeverisë u mbajt protestë me moton “ULTIMATUM – Jo faleminderit” kundër pranimit të propozimin francez.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu