Kovaçevski: Kemi marrë të gjitha masat për hetimin e rastit “Zhan Mitrev”

OBRM-PDUKM akuzoi sot pushtetin se sistemi shëndetësor ka dështuar ose ka mbyllur sytë me qëllim për rastin “Zhan Mitrev”. Gjatë seancës parlamentare për pyetje deputetësh ndaj funksionarëve qeveritarë, deputeti i OBRM-PDUKM-së Bojan Stojanovski pyeti kryeministrin Dimitar Kovaçevski për rrjedhën e hetimeve lidhur me skandalet në spitalin privat.

Stojanovski thotë se institucionet shëndetësore duhet të mbikëqyrin nga afër punën e spitaleve private dhe është e pamundur që askush nuk e ka ditur për kemofiltrimin dhe infektimet intraspitalore.

Në këtë rast bëhet fjalë për ngecje klasike të gjithë sistemit, ku janë të përfshira më shumë institucione. Nuk është e mundur që për një skandal të tillë, askush nga institucionet të mos e dijë”, tha Stojanovski.

Por kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se që nga publikimi i dokumentarit hulumtues, Qeveria ka ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, sipas Kovaçevskit, është duke përcjellur hetimet me kujdes dhe duke informuar Qeverinë për të gjitha të rejat.

Janë formuar të gjitha komisionet e profesionistëve që do të duhet ta shqyrtojnë rastin në detaje. Të gjitha inspektoratet marrin masa në përputhje me kompetencat e tyre ligjore. Ministri i Shëndetësisë, në përputhje me të gjitha të dhënat që merr, do të duhet të informojë qeverinë. Nëse në bazë të konstatimeve të komisioneve, inspektimeve dhe të dhënave nga institucionet e tjera të përfshira, merren informacione që aludojnë për parregullsi të caktuara, atëherë është normale që ato të përpunohen në përputhje me ligjet në vend”, deklaroi Kovaçevski.

Kovaçevski njoftoi gjithashtu se po presin raportet nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar për inspektimet intraspitalore gjatë viteve 2019-2022, si dhe nga Agjencia e Barnave për hetimet lidhur me kemofiltrimin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu