Kovaçevski nuk mbanë përgjegjësi për veprimet e Xhaferit, ngre supet

Situata e mbrëmshme në Kuvend mbushi kupën e opozitës. VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë interpelancë për kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, pasi ky i fundit, një natë më parë, mbylli me çelës deputetët në sallë gjatë seancës plenare.

Këto janë vepra të vogla të një njeriu të paaftë dhe të pafuqishëm i cili nuk mundet të ndërtojë autoritetin e tij, as te shërbimet, as te deputetët dhe duke mos ditur se çfarë të bëjë, merr guximin që me forcë të zbatojë regjim i cili është larg demokracisë. Për Talat Xhaferin nuk ekziston Rregullore, nuk ekzistojnë të drejtat e njeriut. Ky autokrat ka hyrë në film se askush nuk mund t’i bëjë asgjë dhe se është i paprekshëm. Prandaj, duhet të ikë sa më larg shtëpisë së demokracisë”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Kreu i ligjvënësit Xhaferi beson se ka plotësisht të drejtë në këtë veprim.

“Kryetari i Kuvendit është i detyruar të krijojë kushte për të vërtetuar numrin e deputetëve të pranishëm në sallë dhe sipas nenit 97 në një situatë të tillë mbyllen dyert që të konstatohet gjendja. Kjo është ajo që ua kam thënë para 14 vjetësh se ajo që bëni do t’u bie në kokë, ashtu është Rregullorja. Ju incizoni prej këtu, edhe pse nuk keni të drejtë por për shkak të vullnetit tim të mirë, unë ua lejoj këtë”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ashtu si Xhaferi, edhe kabineti i tij vlerëson se veprimi i Xhaferit justifikohet me nenin 97 të Rregullores. Por neni 97 i referohet një procedure të ndryshme nga situata e mbrëmshme. Ky nen ka të bëjë me deklarimin e deputetëve një nga një gjatë votimit. Opozita thotë se ky është rasti i vetëm kur Rregullorja lejon mbylljen e dyerve.

Gjatë votimit të deputetëve duke u thirrur një nga një, dyert e sallës në të cilën mbahet seanca e Kuvendit mbyllen dhe nuk lejohen hyrje dhe daljet e deputetëve për aq kohë sa zgjat votimi një nga një”, thotw Rregullorja, Neni 97.

Situata u përshkallëzua një natë më parë kur në sallë ishin disa deputetë të opozitës dhe shumë pak deputetë të shumicës. Dyert u mbyllën me urdhër të Xhaferit, gjë që ngjalli reagimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk i është i lumtur kur i drejtohet edhe një pyetje tjetër për sjelljen e Xhaferit, pas disa pyetjeve radhazi për disa ditë më radhë pas incizimeve ku Xhaferi dëgjohej duke sharë dhe fyer shërbimet e Kuvendit. Në seancën për pyetjet e deputetëve, kryeministri nuk kishte shumë për të thënë.

“Ju vazhdimisht ma bëni këtë pyetje mua, sikur të keni frikë të ja bëni këtë pyetje zotëri Xhaferit. Unë, e para, nuk jam zëdhënës i kryetarit të Kuvendit. Nëse deputetët duan që qeveria t’u tregojë se çfarë të bëjnë, në cilën orë dhe si ta bëjnë, duhet ta ndryshojnë Rregulloren. Unë s’kam çfarë të them më shumë”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ky është rasti i dytë që brenda pak ditëve e vendos Xhaferin në qendër të kritikave. Ai një ditë më parë tha se nuk ndjen nevojën të kërkojë falje dhe nuk e ka shkelur Kodin etik me sharjet dhe fyerjet drejtuar nëpunësve të Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu