Kovaçevski: Për gjuhën dhe identitetin nuk negociojmë

“Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk do të negociohen”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Prespës për Dialog, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth përmbajtjes së propozimit francez për heqjen e vetos bullgare që mundëson nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për shkak të disa kontesteve mes dy vendeve që lidhen me gjuhën dhe identitetin, Bullgaria e ka bllokuar këtë proces.

Kovaçevski ka nënvizuar se tek autoritetet maqedonase ende nuk ka mbërritur propozimi francez, i cili harmonizohet nga ana e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Nëse vendet anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe Bullgarinë, harmonizojnë propozimin në raport me zgjerimin, gjatë samitit të ardhshëm do të na dorëzohet propozimi, dhe ne atëherë do t`i japim vërejtjet tona. Lidhur me qëndrimet, ato janë qartë të përcaktuara nga Kuvendi, se nuk do të negociohet për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe se zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse me garanci se pas kësaj nuk do të ketë kërkesa të tjera në raport me integrimin tonë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kovaçevski ka përshëndetur përpjekjet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron – që kryeson me presidencën e BE-së deri më 1 korrik – i cili personalisht ka iniciuar gjetjen e një zgjidhjeje.

Sa i përket problemeve të brendshme në Bullgari me humbjen e shumicës parlamentare, kryeministri Kovaçeski ka theksuar se në këtë situatë është me rëndësi që të mos politizohet kontesti që ka Shkupi me Sofjen zyrtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu