Kovaçevski premton 1.000 euro pagë mesatare, Mickoski nuk e beson

Ndonëse fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 majit fillon më 18 prill, partitë politike vetëm se kanë filluar të shpalosin premtimet e tyre nëse fitojnë zgjedhjet dhe arrijnë të formojnë qeverinë e re. Fokusi i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, është te pjesa e ekonomisë.

Kreu i kësaj partie Dimitar Kovaçevski, thotë se premtimin që e patën dhënë në zgjedhjet e fundit se paga mesatare do të jetë 500 euro, e kanë realizuar dhe madje e kanë tejkaluar. Kovaçevski thotë se tani paga mesatare është 650 euro, ndërsa nëse formojnë qeverinë e ardhshme, e njejta do të shënojë madje 1000 euro.

“Për këtë ne sot mund të themi se e realizuam premtimin, madje e tejkaluam premtimin për pagë mesatare prej 500 eurove. Sot paga mesatare është 650 euro, e që askush nuk besonte. Me programin e ri të LSDM-së, premtimi ynë zgjedhor është pagë mesatare prej 1000 eurove dhe pagë minimale prej 600 eurove. Ky është premtim që do ta realizojmë dhe e dinë qytetarët. Nëse e kemi realizuar atë që kemi premtuar, do ta realizojmë edhe këtë që e premtojmë tani”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryetar i LSDM-së.

Pyetëm kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se çfarë page mesatare premtojnë ata nëse arrijnë të formojnë qeverinë e ardhshme. Mickoski nuk deshti të japë shifra, por u fokusua te premtimet e LSDM-së, duke thënë se nuk njeh askënd që beson te premtimet e tyre.

“Vallë a ka dikush që beson ende në premtimet e LSDM-së. Besoni, unë çdo dit bisedoj me qindra njerëz, çdo javë me mijëra njerëz, ende nuk njoh një person që thotë se beson në premtimet e LSDM-së dhe për këtë i paralajmëroj qytetarët. E ardhmja është, ose shtet ku do të mbetin në qeveri Ali Ahmeti, Artan Grubi, Bujar Osmani, Zeçeviq, Mariçiq, Pendarovski si president dhe Kovaçevski ose qeveri e popullit, qeveri reformuese dhe transformuese të cilën do ta udhëheqë VMRO-DPMNE dhe koalicioni”, pohoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ka shënuar 39,998 denarë. Paga minimale për momentin shënon 20,175 denarë ndërsa nga ky muaj, autoritetet qeveritare kanë premtuar se do të bëhet 22,500 denarë.

VIDEO


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu