Krahasimi i Kosovës me Donbasin nga Elon Musk ishte i pavend

Pavarësia e Kosovës nga miliarderi Elon Musk po merret si shembull që duhet ndjekur në Krime e Donbas, rajone të pushtuara nga Rusia që po tenton t’i përvetësojë me referendume. Ekspertët e politikës ndërkombëtare thonë se pavarësia e Kosovës nuk krahasohet me asnjë rast e specifikisht me Ukrainën, dëshmi për të cilën është edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010.

Është më i pasuri në botë, e ideator i makinës elektrike. Megjithatë Elon Musk po provon aftësitë e tij edhe në politikë.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, po mundohet t’i japë përgjigje problemit që nuk po e zgjidhë bota, luftës në Ukrainë.

Qytetarët e Donbasit e Krimesë sipas pronarit të “Tesla-s” duhet të vendosin përmes referendumit, nëse duan të jenë pjesë e Rusisë apo Ukrainës.

Kur flet për referendumin, Elon Musk e përmend Republikën e Kosovës, si shembull që duhet ndjekur.

Në aspektin politik njohësit e politikës ndërkombëtare thonë se Kosova nuk ka ngjashmëri me situatën në Ukrainë. Analisti Gazmir Raci thotë se shtetësia e Kosovës nuk mund të diskutohet e as të kontestohet.

Kosova e ka ndjekur rrugën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe suksesionit që ka ndodhur në kuadër të ish-Federatës Jugosllave. Është shembulli që është bërë më herët nga Sllovenia, Kroacia, Bonsje & Hercegovina etj. Kosova ka qenë me status të dyfishtë në kuadër të ish-Federatës Jugosllave dhe mbi të gjitha mbi popullin shqiptarë të Kosovës është ushtruar gjenocid, spastrim dhunë e terror dhe nuk ka pasur arsye të qëndrohet në një Federatë të tillë”, ka thënë Gazmir Raci, opinionist.

Eksperti i marketingut digjital thotë se deklarata e Elon Musk nuk duhet të mbetet pa përgjigje.

“Për zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për reklamim në rrjete sociale të Kosovës për marketing e tjera duhet një auditim i thellë i prezencës. Nevojitet një ballafaqim me diplomacinë negative që po zhvillohet prej shteti fqinj. Pastaj duhet një mobilizim gjithëpërfshirës në hartimin e një strategjie të prezencës së Kosovës më së pari në google e pastaj në imazhin e saj në rrjetet sociale”, ka thënë Benjamin Kolenović, ekspert i marketingut digjital.

Tendenca për ta lidhur rastin e Kosovës me rajonet e pushtuara ukrainase ka pasur edhe nga presidenti rus. Pretendime që para dy ditësh u kundërshtuan edhe nga diplomati amerikan, Christopher Hill.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu