Krijesa misterioze në Prespë, video bën xhiron e botës (VIDEO)

Një version europian i përbindëshit të Loch Nessit është filmuar në pjesën shqiptare të Liqenit të Prespës. Kështu shkruan Daily Mail, e cila bashkë me disa media të tjera britanike publikojnë videon e xhiruar nga shqiptarë ku duket se shfaqet koka dhe qafa e një krijese të madhe që po del nga uji.

Tabloidi shkruan se krijesa e çuditshme ishte shfaqur edhe në një video të mëherëshme të xhiruar 5 vjet më parë në pjesën greke të liqenit, pranë fshatit të Nivicës. Pamjet e reja nxitën hetimet e një grupi gazetarësh që eksploroi zonën nën drejtimin e profesorit të gjeografisë të dalë në pension Sima Jonoski. Megjithatë ata nuk arritën të gjenin ndonjë shenjë të krijesës së mistershme në zonën ku ajo ishte filmuar, pranë fshatit turistik të Pretorit në Shqipëri.

Ndërsa vendasit besojnë në legjenden e përbindëshit të liqenit, të tjerë mendojnë se mund të bëhet fjalë për një peshk mustak gjigand. Mes tyre është edhe Jonoski, i cili u bë njeriu i parë që përshkoi me not liqenin në 1970-tën.

“Një varkë u mbyt kohë më parë në ujërat e liqenit e disa fëmijë humbën jetën. Më vonë zbulova se zhytësit që po kërkonin për fëmijët kishin pikasur një mustak të madh. Ata u frikësuan aq shumë sa e ndalën kërkimin,” u shpreh ai.

Megjithatë ai e pranoi se në Liqenin e Prespës ndodhin disa gjëra të çuditshme që nuk ndodhin në liqene të tjera. Profesori rrëfen se kur kishte qenë mësues në 1976 kishte parë një pjesë uji të ngrihej në formën e një kërpudhe pranë kufirit me Greqinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu