Kriza Itali-Turqi kalon në futboll, zbulohet synimi i Erdogan për Euro 2020

Për momentin UEFA ka miratuar vetëm 8 qytete që kanë garantuar praninë e të paktën 25 për qind të tifozëve në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjeve të Euro 2020. Roma është kryeqyteti i zgjedhur për ndeshjen e parë të turneut të rëndësishëm të kombëtareve europiane, që nis me duelin Itali-Turqi, e programuar të luhet më datë 11 qershor.

Autoritetet italiane ende nuk i kanë dhënë UEFA-s garancitë e duhura. Për këtë arsye në skenë ka dalë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili kërkon të zhvendosë çdo gjë në Stamboll. Finalja e Champions League do zhvillohet më 29 maj në stadiumin Ataturk të Stambollit, i hapur për publikun, që në këtë rast do përfaqësonte për Turqinë një vitrinë botërore.

Por tashmë, presidenti Erdogan ka një objektiv dhe më të bujshëm; në fazën aktuale të marrëdhënieve të tensionuara me Italinë, kërkon të marrë dhe inaugurimin e europianit të futbollit, që koincidon me ndeshjen mes Turqisë dhe Italisë më 11 qershor.

Dëshiron t’ia marrë Romës, e cila është ende e dyzuar për hapjen ose jo të stadiumeve, dhe për këtë arsye rrezikon të përjashtohet si mundësi për të pritur ndeshjen hapëse. Stambolli nuk është i vetmi plan B.

Rusia e Putin gjithashtu kërkon të zëvendësojë Romën me Moskën, ashtu si dhe Hungaria e Orban me Budapestin. Edhe Britania e Madhe e Johnson, e fortë për shkak të avancimit të fushatës së vaksinimit, mund të ofrojë si alternativë Londrën, qytet ku do të luhen gjysmëfinalet dhe finalja.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet në 19 prill për të vendosur, logjistika organizative imponon që zgjedhja të bëhet që në mes të kësaj jave, duke rrezikuar të shndërrohet në një çështje politike Turqi-Itali.

Turqia nuk është një nga 12 vendet e përzgjedhura, por mund të përdorë afërsinë me Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit që pret ndeshjet e tjera të Italisë, dhe garanton praninë e 50% të tifozëve.

Edhe Rusia garanton 50% të publikut në shkallët e stadiumit, ndërsa Hungaria premton 100 për qind të tifozëve, por me një protokoll më të ashpër për tifozët që duan të ndjekin ekipet e tyre nga afër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu