Kroacia veto Malit të Zi për rrugëtimin në BE, zbulohet arsyeja?

Rruga e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka marrë një kthesë të papritur, duke vënë në dyshim objektivin ambicioz të Podgoricës zyrtare për t’u bërë pjesë e bllokut deri në vitin 2028. Kroacia ka vendosur bllokadë mbi mbylljen e Kapitullit 31, i cili mbulon politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, përcjell INA.

Pavarësisht se Mali i Zi konsiderohej shteti pararojë i rajonit në procesin e integrimit evropian — duke pasur deri tani 18 kapituj të mbyllur përkohësisht nga gjithsej 33 — Zagrebi ka kushtëzuar ecurinë e mëtejshme me zgjidhjen e kontesteve dypalëshe.

Qeveria kroate i ka paraqitur Podgoricës një listë me gjashtë kërkesa zyrtare.

Ndër çështjet kryesore që kërkohen të zgjidhen përfshihen:

Ndjekja penale e përgjegjësve për krimet e luftës të viteve ’90 dhe dëmshpërblimi i ish-të burgosurve në kampin e Morinjit.
Zgjidhja e kërkesave pronësore të qytetarëve kroatë.
Kthimi i anijes shkollore ushtarake “Jadran”.
Definimi i përfundimtar i kufirit detar në zonën e Prevlakës.
Dëgjimi i kërkesave dhe mbrojtja e të drejtave të pakicës kombëtare kroate në Mal të Zi.

Zagrebi i ka bërë thirrje Malit të Zi që të angazhohet me urgjencë në një dialog konstruktiv për mbylljen e këtyre temave të hapura. Sipas qëndrimit zyrtar të Kroacisë, Bashkimi Evropian nuk duhet të importojë mosmarrëveshje dypalëshe, prandaj marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten një kusht i patjetërsueshëm për çdo vend kandidat.

Këto lëvizje nga ana e Kroacisë u intensifikuan pas vizitës zyrtare të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila u takua me kryeministrin kroat Andrej Plenković dhe ministrin e Jashtëm Gordan Grlić Radman. Ndonëse Brukseli po kërkon gjetjen e një zgjidhjeje përmes kompromisit diplomatik, vetoja kroate shpërfaq qartë se pengesat fqinjësore po kthehen sërish në sfidën kryesore të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu