Kryeministri Haradinaj mer në dorë Rastin e Kumanovës, premton se nuk do ta lejë në “mëshirën” e Maqedonisë!

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj është zotuar se do të bëjë maksimumin për një rigjykim të drejtë dhe korrekt të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Këtë zotim ai e ka bërë në takimin me familjarët e pjesëtarëve të dënuar të grupit, që realizoi të hënën në kryeministri. Takimi është mbajtur larg syve të opinionit, mirëpo familjarë të dënuarve thonë për Gazetën Lajm se me kryeministrin janë ndarë të kënaqur dhe me optimizëm maksimal.

“Kryeministri Haradinaj ishte i sinqertë dhe i hapur në takim. Ai nuk e fshehu habinë dhe pakënaqësinë e vet nga dënimet drakonike që i ka shqiptuar gjykata maqedone. Poashtu premtoi se do të ndërmarrë të gjitha masat si kryeministër për të kërkuar nga shteti i Maqedonisë të krijohen kushte për gjykim të drejtë dhe korrekt të pjesëtarëve të Grupit. Gjykimi i parë ishte i montuar dhe krejt falso”, ka thënë një familjar për Gazetën Lajm.

Pas takimit me kryeministrin Haradinaj, edhe disponimi i familjarëve ka shënuar kthesë pozitive. Kjo vërehet te shumica familjare, kurse Meliza Zekaj, vajza e Valdet Zekajt të dënuar me burg të përjetshëm, e ka shprehur edhe publikisht këtë optimizëm. Ajo ishte mjaft kritike në takimin e protestuesve me Haradinajn para ndërtesës së Qeverisë në Pishtinë, mirëpo pas takimit të realizuar në kryeministri, shprehu falënderim publik lidhur me angazhimin e tij.

“Publikisht dua të ju falemnderoj juve kryeministër për pritjen dhe premtimet që iu bëtë familjarëve të të arrestuarve padrejtësisht të ‘Grupit Kumanova’.
Protestat dhe kërkesat patën sukses!
Me shpresën që kërkesat e popullit tonë për drejtësi të realizohen, e që ky ngazëllim të ec deri në fund, e politika shqiptare të bashkohet për idealin e nisur nga çlirimtarët. Le të bashkohen të gjithë njerëzit e mirë të çdo partie për një Shqipëri të ëndërruar shekullore!
Ta mbani betimin e dhënë, që ta realizojmë betimin e ushtarëve çlirimtarë.

Me besë e shpresë, Melisa, e bija e Valdet Zekës”, ka shkruar Melisa Zekaj.

Në procesin gjyqësor kundër Grupit të Kumanovës, Gjykata Themelore në Shkup shqiptoi tetë dënime me burg të përjetshëm si dhe dënim me kohëzgjatje prej gjithsej 746 viteve për pjesëtarët tjerë të grupit, me përjashtim prej katër prej tyre të cilët u liruan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu