Kryeministri malazez i ofron bisedime Kishës Ortodokse Serbe

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me mitropolitin Amfilohije të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lidhje me Ligjin për liritë fetare.

Amfilohije e kundërshton ashpër këtë ligj, duke thënë se me të, shteti malazez do të konfiskojë pronën e Kishës.

Markoviq tha se nuk do ta tërheqë ligjin dhe se opsioni i vetëm për Kishën do të jetë sfidimi i tij në Gjykatën Kushtetuese.

Me ligjin e ri, të miratuar në Parlamentin malazez në fund të dhjetorit, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë pronësinë mbi pasurinë para vitit 1918 – në të kundërtën, asetet do të konsiderohen pronë e shtetit.

Mali i Zi, me shumicë të krishterë ortodokse, iu bashkua Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në vitin 1918 dhe Kisha Ortodokse Malazeze u përvetësua nga Kisha Ortodokse Serbe dhe humbi gjithë pronën e saj.

Kisha Ortodokse Serbe, mbështetësit e saj dhe opozita pro-serbe e Malit të Zi druajnë se ligji i ri do t’i mundësojë Qeverisë malazeze të konfiskojë pronën e Kishës, edhe pse autoritetet e mohojnë një synim të tillë.

Duke i komentuar protestat e shpeshta kundër ligjit, të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në të gjithë Malin e Zi, Markoviq tha se ato janë shndërruar në një përballje me institucionet e shtetit malazez.

“Këto sulme dhe propaganda të papara po kryhen jo vetëm nga aktorët brenda vendit, por edhe nga aktorët më drastikë dhe brutalë të Serbisë fqinje”, tha Markoviq.

Ai shtoi se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë janë në nivelin më të keq të mundshëm që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi, më 2006.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu