Kryeministri Rama: As dorëheqje, as zgjedhje. Kundërshtarët në krizë

Në një intervistë për “Corriere della Sera” një ditë pas protestës së opozitës, kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të japë dorëheqjen.

I pyetur në lidhje me protestën e 16 shkurtit, Rama thotë se opozita është e përfshirë në një krizë të thellë dhe e pamundur për ta sfiduar politikisht qeverinë.

Ndërsa refuzon t’u përgjigjet akuzave për korrupsion dhe blerje votash Rama thotë se kjo pakicë është më e dobët se ajo e zgjedhjeve të vitit 2017. Kryeministri nga ana tjetër siguron investitorët e huaj se Shqipëria është një vend i sigurtë.

Rama nuk mohon problemet e vendit, korrupsionin, varfërinë dhe rritjen e pakënaqësisë së të rinjve, por thekson se qeveria e tij po bën atë që asnjë qeveri nuk pati kurajën të bëjë.

“Në lidhje me reformën në drejtësi, si asnjëherë më parë po luftojmë korrupsionin sidomos në administratën publike,” thekson Rama në intervistën për “Corriere della Sera”, ndërsa paralajmëron se beteja është e vështirë dhe rezultatet nuk do të jenë të menjëhershme.

Pyetje: Demonstrata e së shtunës dhe sulmi në ndërtesën e qeverisë janë pasqyruar në të gjithë botën. Çka po ndodh atëherë në Shqipëri?

Rama: “Asgjë nuk po ndodh. Nëse ka ndonjë gjë, është një krizë e thellë e opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo pakicë është më e dobët se në zgjedhjet e vitit 2017: nëse do të votonim nesër do të merrnin më pak vota ».

Por opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike ka akuza shumë të rënda ndaj jush për mashtrim zgjedhor, korrupsion. Ai thotë se ju jeni i lidhur me krimin e organizuar.

Rama: “As nuk i përgjigjem këtyre akuzave. Unë jam i shqetësuar vetëm sepse kjo politikë e hedhjes së baltës nuk i ndihmon ata dhe as vendin. Shpresoj që sa më shpejt që të jetë e mundur të vënë arsyen mbi këtë dëshpërim.
Opozita bën thirrje për dorëheqjen e tuaj. Çfarë do të bëni?

Rama: “As nuk mendoj. Kam pasur një mandat të qartë nga populli, kemi një shumicë të qartë në Parlament dhe në fund kam një detyrim ndaj qytetarëve të mi. Unë nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e pakicës parlamentare. Detyrimi i vetëm është kontrata me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur “.

Pra, pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe të huaj nuk duhet të kenë frikë nga asgjë?

Rama: “Jo. E vetmja gjë që ka bërë protesta e opozitës ishte t’i japë Shqipërisë një imazh negativ me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. Pasoja e vetme konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë që e kisha instaluar në oborrin e ndërtesës së qeverisë “.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu