Kryeministri shpreh kërkesën: Rezidenca e Rugovës të ketë staf të rregullt

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar që 12 punonjësit e Rezidencës së ish-presidentit Ibrahim Rugova të jenë punëtorë të rregullt e jo të përkohshëm. Këtë e ka bërë në mbledhjen e Qeverisë, të martën.

“A është e mundur që ky staf nga kontratat e përkohshme të përfshihet në status të përhershëm. Është praktikë që në disa memoriale ka staf”, ka thënë Haradinaj, duke iu shtruar pyetje ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, dhe atij të Financave, Bedri Hamza.

Ministri Gashi ka thënë se 12 punëtorët e angazhuar në Rezidencën e Ibrahim Rugovës – që para gati tre vjetësh u shpall monument i trashëgimisë kulturore – punojnë me marrëveshje për shërbime të veçanta. “Sa i përket kalimit në punëtorë të rregullt, sigurisht që duhet të koordinohemi edhe me Ministrinë e Financave. Por nëse vendoset që të shtohen edhe 12 vende të punës të gjithë këta punëtorë duhet t’i nënshtrohen konkursit për pranim”, ka thënë ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se sa i përket ndikimit buxhetor, bëhet fjalë për një ndikim neutral. Sipas tij, punonjësit janë duke u paguar e nëse punësohen si të rregullt vetëm ndërron forma e pagesës.

Qeveria e Kosovës në pranverë të këtij viti kishte ndarë 57 mijë e 944 euro, në mënyrë që të paguhen 12 punonjësit që me marrëveshje për shërbime të veçanta punojnë në këtë objekt/Shaban Maxharraj


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu