Kryeparlamentari Xhaferri tregon kur do të hyjë në fuqi ligji për gjuhën shqipe

Ligji i gjuhëve do të hyjë në fuqi pasi që të miratohen ndryshimet kushtetuese që priten të ndodhin më 15 janar të 2019-s, deklaroi sot kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi pas mëngjesit të punës me gazetarët.

“Seanca është caktuar për më 9 janar, dhe shpresoj se në bazë të dinamikës që ajo të mbarojë shpejtë. Supozimet janë që deri më 15 janar të përmbyllet. Maksimalisht mund të zgjatë 12 ditë, sipas rregullave. Por nuk besoj se do harxhohet afati maksimal i afatit. Kështu të dy ligjet do të shkojnë bashkërisht në Gazetën Zyrtare”, tha Xhaferi.

I pyetur se a do të merret vesh me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov për t’i publikuar marrëveshjen e ratifikuar të Prespës dhe ligjin e gjuhëve bashkërisht në Gazetën Zyrtare, kryeparlamentari Xhaferi tha se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, sepse vendimi është i tij.

“Nuk kam nevojë të merrem vesh me askënd sa i takon kompetencave të institucioneve. Ivanov ka pasur për obligim ta bëj atë, dhe nuk e ka bërë, që besoj se kjo çështje është konsumuar. Dhe normal kjo do të shkojë në atë mënyrë, që vullneti i Kuvendit të mos cenohet, dhe kjo do të realizohet. Do të ndodh. Ajo tashmë ka nënshkrim. Ai është vendim i imi”, tha Xhaferi.

Nga ana tjetër, para një kohe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin parashihet përdorim më i gjerë i gjuhës shqipe do të publikohet në Gazetën Zyrtare pas referendumit, bashkërisht me Marrëveshjen e ratifikuar Maqedoni – Greqi, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërkohë që i njëjti do t’i pret ndryshimet kushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu