Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë: Ta ndalim ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë me të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizohet procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të ndalet ofensiva diplomatike e Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

“S’kemi kohë për të humbur. Të fillojmë me forca të shtuara, me një sinergji të re bashkëveprimi e bashkërendimi që rezultatet të jenë edhe më të prekshme.

E theksova edhe në fjalën time teksa mora detyrën në Shqipëri që bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Parlamentin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës sime në përgjegjësinë e lartë në drejtimin të punëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndaj, ne sot ramë dakord që vendet të nxisim bashkëpunimin e jo vetëm ta lëmë në planin emocional e të dëshirave, por të bashkërendojmë me plan konkret takimesh e agjendash politike të fokusuara për rezultate për qytetarët, edhe në Kosovë e Shqipëri.

Ne inkurajojmë mbledhjet e përbashkëta të qeverive, do të institucionalizojmë edhe mbledhjet e përbashkëta të komisioneve dhe delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare”, tha jo.

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë më tej tha “Duhet të bashkëpunojmë me të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se marrëdhëniet midis dy vende nuk mund të konsiderohen vetëm marrëdhënie miqësie e partneriteti, por vëllazërore.

Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën ndër vite dhe dekada, si në aspiratën për çlirim, ashtu edhe në arritjen e pavarësisë, konsolidimin e institucioneve demokratike, si dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së saj.

“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe ato diktohen për shkak të një fakti të qartë dhe të thjeshtë, për të cilin është i vetëdijshëm çdo qytetar i Kosovës dhe Shqipërisë. E ky është fakti që jemi një komb, i cili jeton sot në dy shtete por edhe përtej tyre”, theksoi Konjufca.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu