Ku u zhdukën 200 mijë votues fantom maqedon , KSHZ-ja ka dështuar

Në intervistën speciale për gazetën Lajm anëtari i kryesisë qendrore i Lëvizjes Besa Rexhep Memedi shpreh qëndrimet e partisë të cilën ai e përfaqëson dhe njëherit shpreh shqetësimin më të thellë për ata shqiptarë që ky pushtet po mundohet që ti fshi nga lista zgjedhore me pretekstin se janë votues fantom .

Ai shfrytëzon rastin që ty pyet pushtetin ( VMRO-BDI ) dhe partinë maqedonase opozitare ( LSDM ) se ku u tretën dhe ku mbetën 200.000 votuesit fantom maqedon të cilët dolën në shesh më herët

Lajm : Ju si anëtar i kryesisë qendrore a mund të na shpalosni qëndrimet e Lëvizjes Besa për listën zgjedhore a keni ndonjë propozim apo zgjidhje tjetër ?

Rexhep Memedi : Listat e publikuara, gjoja e votuesve fantomë ose fiktivë, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, por edhe e të gjitha konventave për të drejtën e secilit shtetas për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur; Analiza jonë flet se shumica dërrmuese e votuesve të asaj liste le që nuk kanë bërë dalje të shpeshta dhe të gjata nga Maqedonia, por ka plot që me vite të tëra nuk kanë dalë nga ky shtet. Cinizmi më i madh është kur shumë personalitete publike dhe ish anëtarë të komisioneve zgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2014 tash janë gjetur në atë listë; Fakti që vetëm këto 5-6 ditë janë paraqitur mijëra njerëz që kanë dëshmuar se ata kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe kurrë nuk kanë qenë në mërgim, flet se metodologjia e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për “pastrimin” e listës zgjedhore KA DËSHTUAR. Kjo është shenjë se KSHZ-ja ka pasur tendencë në “pastrimin” e votuesve “të padëshirueshëm” ose të votuesve që, sipas zyrtarëve partiakë të KSHZ-së, mund të mos jenë votues të partive të dëshirueshme për ata.

Lajm :Sipas jush ata që duhet të hiqen nga lista zgjedhore janë shqiptarët apo maqedonasit ?

Memedi : Nga kontaktet tona në teren për çdo ditë po hasim edhe në një fakt shqetësues që flet se shumica e votuesve shqiptarë të vendosur në atë listë janë votues me deklarime publike opozitare, që na bën të dyshojmë se këtu ka gisht partia shqiptare në pushtet, që kështu dëshiron ta përjashtojë votën kundër saj në zgjedhjet e ardhshme; Kur jemi këtu, parashtrojmë pyetjen ku u tretën 200.000 votuesit fantomë, për të cilët fliste opozita maqedonase, dhe a thua vallë ajo i humbi zgjedhjet për shkak të këtyre mbi 30.000 votuesve shqiptarë, që sot fshihen nga lista zgjedhore? Të gjendur në këtë situatë, kur KSHZ-ja shihet se ka zgjedhur metodologji tendencioze dhe me plan për të fshirë votuesit shqiptarë – nën pretekstin se janë mërgimtarë, ndërsa ka fshirë shumicën e votuesve që e di se nuk janë votues të partisë në pushtet, ne deklarojmë se në Maqedoni po gatuhet një mashtrim i ri zgjedhor.

Lajm : Fshirja e votuesve shqiptarë “ gurbetqarë “ nga lista a është shkak se pushteti I ka kuptuar se ata nuk janë votues të tyre ?

Memedi : Nëse e shikojmë listën do të shohim se afër 90 % janë qytetarë shqiptarë. Fakti që BDI dhe PDSH pajtohen që të fshihen gurbetçarët shqiptarë nga lista zgjedhore sigurisht që ka edhe një shpjegim tjetër se ata si duket e kanë kuptuar që mërgata shqiptare është skajshmërisht e revoltuar për shkak të politikave antishqiptare të këtij pushteti, dhe se fuqishëm po përkrah platformën e opozitës shqiptare sidomos atë të Lëvizjes BESA. Me këtë akt pushteti aktual VMRO-BDI (PDSH), së bashku me LSDM-në opozitare, përpos tendencës për reduktimin e votuesve shqiptarë në përgjithësi, godet drejtpërdrejt kategorinë e njerëzve që vazhdimisht kontribuojnë për vendin, respektivisht mërgimtarët tanë, që me remitancat e tyre ndihmojnë dukshëm në ekonominë e Maqedonisë. Thënë më konkretisht, mërgimtarët shqiptarë janë ata që e shpëtojnë Maqedoninë nga falimentimi, duke sjellë mbi 1 miliard euro për çdo vit.

Lajm : Cilat hapa do ti ndjek Lëvizja Besa ?

Memedi : Pasi që kemi konstatuar se kjo listë e ka thelluar edhe më krizën, e ka asgjësuar plotësisht besimin në procesin votues dhe ka shkaktuar dëme që vështirë do të riparohen në këtë proces, Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA vendosi që: të ngrejë procedurë para Gjykatës Kushtetuese që të vlerësohet vendimi i KSHZ-së për mohimin e së drejtës së votës për 39.502 votues njëherazi shtetas të Maqedonisë; t’i drejtohet parashtresë Avokatit të Popullit, që ky institucion të reagojë për diskriminim që u bëhet qytetarëve të R. së Maqedonisë, t’i drejtohet me kërkesë zyrtare KSHZ-së për të kërkuar shpjegime se cila ka qenë metodologjia që i ka nxjerrë në listën për t’u fshirë 39.502 votues dhe si ka qëlluar që shumica dërrmuese e tyre të jenë shqiptarë; t’u dërgohet letër ambasadorëve të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, si kontribuues dhe lehtësues për arritjen e asaj marrëveshje, si dhe organizatave OSBE-ODIHR, si dhe Human Rights Ëhatch, Transparency International dhe Komitetit të Helsinkut, që të alarmohet fakti i diskriminimit që është krijuar me këtë listë zgjedhore dhe të ngrihet shqetësimi për manipulimin e madh zgjedhor që synojnë ta prodhojnë këto parti dhe KSHZ-ja; aktivistët e BESËS ta kontaktojnë secilin votues të asaj liste dhe t’ia dorëzojnë një fletushkë me udhëzime se si të rikthehet në listën e votimit, por edhe t’i ndihmojnë që ai ta realizojë këtë detyrë.

Lajm :Lëvizja Besa pranon të shkoj në zgjedhje nëse fshihen mërgimtaret apo në demonstrata ?

Memedi : Duke qenë të bindur se kjo që ndodhë në Maqedoni i ka tejkaluar edhe kufijtë e diktaturës dhe se nuk mund të flasim më për demokraci, Lëvizja BESA deklaron se, nëse edhe pas gjithë këtij angazhimi, ata votues nuk përfshihen në listën zgjedhore dhe nuk u njihet e drejta e votës, ky përveç që do të jetë një lajm i keq për demokracinë e Maqedonisë, do të jetë shenjë se e ardhmja e këtij vendi përsëri do të vihet në pikëpyetje. Ne jemi të gatshëm ta përdorim secilin mjet që ta mbrojmë votën e secilit qytetar të Maqedonisë dhe për këtë nuk bëjmë kurrfarë kompromisi. Nëse dikush mendon se fshin votues si ia ka ëndja, ta dijë se do ta ketë përpara shqiptarin e nëpërkëmbur, andaj le t’ia mendojë mirë se çfarë zgjedhje mund të organizojë nëse 30 mijë qytetarë dalin “të votojnë” nëpër rrugët e shtetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu