Kur do i njohë Gjermania patentat shqiptare

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar në lidhje me kërkesat e panumërta lidhur me arritjen përfundimtare të Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Lejeve të Drejtimit të Shtetasve të Shqipërisë në Gjermani dhe anasjelltas.

Ministri informoi se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani në Mars 2018, ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë Ministrisë Federale të Transportit dhe Çështjeve Digjitale. Megjithatë sipas njoftimit, kjo e fundit informoi se i gjithë dokumentacioni teknik duhet të shqyrtohet jo vetëm në nivel federal por edhe nga të 16-të landet e RFGJ. Ky është një proces që tashmë është përtej forcave të Qeverisë së Shqipërisë.

Sipas njoftimit të ministrit, ky proces merr një kohë relativisht të konsiderueshme, ndaj gjatë vizitës së tij në Berlin në Mars 2019, është propozuar edhe shqyrtimin e alternativave të përkohshme sikurse dhënia e provimit për marrjen e patentës në gjuhën shqipe (një praktikë që tashmë zbatohet në Suedi). Cakaj tha se kjo është një praktikë që zbatohet në RFGJ edhe për disa prej gjuhëve të tjera të Ballkanit dhe nuk është zëvendësim për marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.

Cakaj tha se në kushtet kur marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit është në shqyrtim e sipër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ka dorëzuar kërkesën për mundësimin e kryerjes së provimit të patentës në gjuhën shqipe pranë Ministrit Federal të Transportit dhe Çështjeve Digjitale. Njoftimi bëri me dije se aktualisht është në pritje të përgjigjes nga pala gjermane.

Marrë parasysh shqetësimet e shtetasve shqiptarë në Europë lidhur me vështirësitë e ndryshme të njehsimit të lejeve të drejtimit, Cakaj tha se shumë shpejt do të procedohet me kërkesa për marrëveshje të kësaj natyre edhe në shumë vende të tjera./scan


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu