Kur edhe Dodikut i vjen radha me i ‘mbajt’ BE-së ligjërata për liberalizimin e vizave për Kosovën

Lideri i serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, njëherë kryetar i ‘Republika Srpska’ i ka ardhur dita që të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, e madje duke iu përgjigjur euro deputetes Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje atij që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Dodik një politikan kundërthënës që njihet si i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se BE-ja fillimisht duhet t’i lejojë qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm brenda territorit të saj, para se të kërkojë këtë ndaj të tjerëve.

“Po, kemi thënë se do të respektojmë dhe përkrahim lëvizjen e lirë, gjë që nuk do të thotë se do të durojmë ofendimet që vijnë nga institucionet e Kosovës në drejtim të ‘Republika Srpska’”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Dodik ka deklaruar se nuk do ta ratifikojnë këtë marrëveshje për qytetarët e Kosovës, pra lëvizjen e lirë në Bosnjë e Hercegovinë, e cila marrëveshje është iniciativë e Procesit të Berlinit.

E ndaj tij ka reaguar ashpër të mërkurën raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë marrëveshjen.

Procesi i Berlinit është për t’i bërë njerëzit të lëvizin lirshëm, të punojnë dhe të tregtojnë në Ballkanin Perëndimor. Bllokimi i ratifikimit dhe pengimi i qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm është i papranueshëm. I bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë!”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Ndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar kanë miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën. Megjithatë, ky proces po bllokohet nga kreu i “Republika Srpska”, Milorad Dodik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu