Kurti dhe njëherë i kujton “ligjin” Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se nuk i ka dhënë asnjë garanci Beogradit se nuk do të ketë arrestime të reja apo se nuk do të dërgojë forca në veri të Kosovës, duke shpjeguar se nuk mund të garantojë “diçka që është jashtë ose kundër ligjit dhe Kushtetuta e Kosovës”.

Garancia e vetme që garanton Qeveria e Kosovës është barazia e të gjithë qytetarëve, tha Kurti në një intervistë për Al Jazeera.

Ndërsa viti 2022 po i afrohej fundit, Ballkani u fut sërish në prag të konfliktit etnik.

Tensionet u rritën në veri të Kosovës dhe situata u përshkallëzua më tej në dhjetor kur protestuesit etnikë serbë bllokuan rrugët dhe pikat kufitare me Serbinë, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, i cili u akuzua nga shërbimet e sigurisë së Kosovës për shkelje të Kushtetutës.

Pas javësh trazirash, tensionet janë zbutur, me angazhimin e SHBA-së dhe BE-së, por sa e brishtë është kjo ndjenjë qetësie? Dhe si do t’i zgjidhë Kosova ndarjet e saj të thella etnike? – komenton kështu Al Jazeera.

Kurti tha se nuk u jep premtime dhe garanci kriminelëve për të cilët ka urdhërarreste dhe që janë në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të garantojë vetëm se do të respektohet kushtetuta në të gjitha komunat e Kosovës dhe se rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale nuk e përjashtojnë askënd.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu