Kurti është optimist për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është optimist se në muajt e ardhshëm do të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme me Serbinë. Kurti tha se dialogu me Serbinë po hyn në një fazë të re që nga gushti, ndërsa në qendër të negociatave është njohja e pavarësisë së Kosovës, transmeton InfoShqip.

Jam shumë optimist sepse në krahasim me të kaluarën, ose në ndryshim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe e ktheu këtë qasje, më shumë në drejtim të zvarritjes së procesit, sepse nëse i thua Serbisë pavarësia. do të vijë në fund, ju inkurajoni Serbinë që ta shtyjë fundin, por tani njohja reciproke nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kurti mbetet optimist përkundër faktit se presidenti serb Vuçiq ka përsëritur dje se derisa është president, pavarësia e Kosovës nuk do të njihet. Ai tha se për të është i papranueshëm edhe propozimi i Francës dhe Gjermanisë, që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe nga ana tjetër të përshpejtojë procesin integrues të Beogradit në BE. Kryeministri i Kosovës ka përsëritur se nuk ka probleme me popullatën serbe që jeton në Kosovë, por me strukturat paralele që financohen nga Beogradi dhe që sipas tij janë bërë më agresive pas luftës në Ukrainë.

Strukturat ilegale të Serbisë, dhe veteranët serbë të luftës në përgjithësi, janë bërë më agresivë këtë vit pas pushtimit dhe agresionit ushtarak kundër Ukrainës, sepse përgjithësisht të gjitha ose shumica e tyre janë pro Putinit. Ata e shohin luftën e Rusisë në Ukrainë si një mundësi për ta. Shumë prej tyre janë në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së dhe disa prej tyre kanë urdhër-arreste nga qeveria jonë, por kjo nuk vendos kurrë një shenjë barazie mes njerëzve dhe shtetit, apo mes popullsisë dhe strukturave, kjo bën diferencën”, ai shtoi.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Edhe pse Kosova thekson se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohje reciproke, Serbia nuk pranon, duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi”./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu