Kurti: Hapja e pikave kufitare me Serbinë, pas instalimit të skanerëve – BE-ja të heqë masat ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se pikat kufitare të Kosovës me Serbinë do të hapen për mallrat vetëm pasi të instalohen skanerët e premtuar nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti theksoi se autoritetet kosovare janë të gatshme t’i blejnë këta skanerë, edhe pse janë premtuar nga ndërkombëtarët.

Aktualisht, pika kufitare e Merdarës është e vetmja e hapur për mallrat serbe, por me masa të shtuara të sigurisë.

“Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë pasi për dy vjet na kanë sjell katër herë ushtrinë në kufi dhe kemi konfiskuar katër herë sasi enorme të armatimit… Grupi i Radojçiqit mbetet i lirë në Serbi”, ka thënë Kurti.

“Kemi hapur një pikë të kufirit me ç’rast është në Merdare, ku terminali doganor është vetëm 300 metra larg vendkalimit kufitar, ku lejohen mallrat, por me kontroll të shtuar. Meqenëse, bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi jo për masa tregtare, siç janë përpjekur disa të na m’veshin”.

“Mirëpo, sot është mbledhje e CEFTA-s, e cila tashmë ka filluar dhe të hënën është Samiti i Berlinit ku duhet të avancohet CEFTA. Nuk kemi mund ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marrë skanerët që edhe duam t’i blejmë e edhe na kanë premtuar edhe evropianët edhe amerikanët”, ka shtuar Kurti.

Kurti gjithashtu foli për situatën me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat i quajti “absurde”. Ai kritikoi vendosjen e këtyre masave, të cilat datojnë nga qershori i vitit të kaluar, dhe theksoi se ato janë të padrejta dhe të dëmshme për Kosovën.

“Ne vazhdimisht kërkojmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që datojnë nga qershori i vitit të kaluar. Ato masa nuk kanë qenë të drejta asnjëherë e tash janë bërë edhe absurde për shkak se edhe vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe njëkohësisht zv/presidenti i Komisionit Evropian i ngarkuar për siguri dhe politikë të jashtme i ka shkruar letër 27-shes të BE-së se masat duhen hequr”.

“Borrell në largim e sipër mund t’ua konfirmojë këtë çfarë po them unë se është ai që ka kërkuar që masat të hiqen por këto nuk janë bërë ende andaj masat e padrejta edhe të dëmshme janë bërë edhe absurde dhe ne presim që ato të hiqen një orë e më parë duke qenë të bindur se është dashur të hiqen qysh dje”, ka thënë ndër të tjera Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu