Kurti i përgjigjet opozitës: Mos aktroni nxitimin kur reciprocitetin keni mundur ta bëni para 11 vjetësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur opozitës, të cilët e kritikuan për vendimin që të shtyjë deri më 1 shtator implementimin e vendimeve për reciprocitetin me Serbinë, për letërnjoftimet dhe targat.

Duke iu drejtuar opozitës, Kurti ka thënë se “s’mund të aktrojmë nxitimin për një gjë që është tash e 11 vjet”.

“Tash kur po diskutojmë për reciprocitetin, më mirë është të kishte ndodhur më 1 gusht. Por, unë them se më mirë është më 1 shtator se fare. A më së mirti kishte me qenë në vitin 2011 kur jeni marrë vesh në Bruksel”, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Tutje, ka thënë se vendimi është marrë pasi fushata dezinformuese e Beogradit ishte e egër.

Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit, kemi marrë kërkesë nga SHBA-ja që ta shtyjmë ekzekutimin e vendimit deri më 1 shtator. Pra, për shkak të fushatës së egër të Beogradit e jo për shkak të mungesës së fushatës tonë informuese”.

Ne nuk besojmë që s’kemi bërë fushatë të mirë e të mjaftueshme. Për 10 minuta u ngritën 9 barrikada dhe u dëshmua edhe njëherë se janë të organizuara nga regjimi i Beogradit. Në rrethanat që ndodhemi, kemi marrë vendimin e duhur. Jemi të vendosur në atë që bëjmë dhe kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu