Kurti ja kur do ta ftoj Abdixhikun në takim?

Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nga sot e heq pezullimin për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.

“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.

Kryetarja e “Alternativës” Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë Albin Kurti do të ftojë gjatë kësaj jave Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe partitë e tjera parlamentare, për të diskutuar konstituimin e institucioneve të reja.

Kurari-Lila, partia e së cilës është në koalicion parazgjedhor me Lëvizjes Vetëvendosje, pas një panairi të gruas të mbajtur sot në Prishtinë, i tha mediave se ftesa pritet të bëhet brenda ditëve, madje edhe orëve në vijim, me qëllim që të arrihet një dakordim politik për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kusari-Lilës, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë deputetëve dhe dështimi në këtë proces do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të reja brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Ajo shtoi se së shpejti do të ketë takim tjetër me LDK-në dhe prej aty mund të dalin edhe konkretisht dakordimet që janë bërë në mes të subjekteve.

Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.

Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie.

Ai tha se partia e tij është për një marrëveshje të mirë, e cila sipas tij nënkupton që të “ketë balancë institucionale mes palëve që duan të jenë pjesë e saj. E rëndësishme është që të shmangen zgjedhjet. Populli nuk do më zgjedhje të reja. Do stabilitet institucional”.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu