“Kurti mund ta pranojë ofertën e LDK-së”, Bytyçi vjen me deklaratë të fortë: Ja kush mund ta marrë postin e presidentit

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kosova ka hyrë në një fazë vendimtare të jetës politike, ku fokusi kryesor është formimi i institucioneve të reja.Takimet e para mes Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese, dhe subjekteve opozitare kanë shënuar nisjen e procesit të konsultimeve, por deri më tani pa rezultate konkrete.

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili u shpreh se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, tani pritet vetëm formimi i institucioneve të reja të vendit.

Ai foli edhe për takimet e para mes liderëve të partive politike dhe pretendimet për një koalicion LVV-LDK.

Zgjedhjet në Kosovë u kryen. Rezultatet dolën dhe u certifikuan. Ajo që mbetet tani është krijimi i institucioneve. Kryeministri dhe kreu i mazhorancës, Albin Kurti, është takuar me dy prej liderëve kryesorë të opozitës, përkatësisht me kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamza, dhe me “dy bashkëkryetarët” e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku. Hamza nuk ka lënë hapësirë për një marrëveshje midis palëve. Abdixhiku dhe Osmani e kanë lënë derën të hapur. Ka spekulime pa fund për një koalicion të mundshëm dhe marrëveshje midis Vetëvendosjes dhe LDK-së. Ndërkohë, AAK-ja ka vendosur kushte për mbështetjen e një koalicioni me VV-në. Një ndër këto kushte është që Kosova të pranojë investimin amerikan në energjetikë. Nuk them se AAK-ja e ka gabim, sepse nuk i di avantazhet dhe disavantazhet e një marrëveshjeje me SHBA-të për ta shfrytëzuar potencialin energjetik të Kosovës. Parimisht, do të doja që me amerikanët të mbahen marrëdhënie të ngushta, por edhe korrekte, që do të thotë edhe lëshime taktike, në këmbim të mbështetjes strategjike nga ana e Uashingtonit. Por të gjitha këto që them janë dëshira. Konkretizimet vijnë përmes negociatave dhe marrëveshjeve përkatëse.”

Krahas kësaj, Bytyçi theksoi se ky është vetëm fillimi i negociatave dhe se nuk dihet saktësisht se për çfarë po bisedohet, për president apo për bashkëqeverisje.

Rrjedhimisht, ai vlerëson se, nëse ka bisedime për president, atëherë partia opozitare që pranon ofertën e LVV-së mund ta marrë këtë post.

Në këtë pikë, ai përmendi LDK-në si partinë që ka më shumë gjasa të bëjë koalicion me LVV-në, si dhe pretendimet që mund të ketë Osmani për një mandat të ri presidencial.

“Mendoj se procesi i bisedimeve për krijimin e institucioneve sapo ka filluar. Ne nuk e dimë nëse bisedohet për postin e presidentit apo për bashkëqeverisje. Nëse bisedohet për postin e presidentit, atëherë me këtë kuptojmë që këtë post ta marrë partia opozitare e cila i përgjigjet ofertës së mazhorancës. Pra, që këtë post ta ketë kjo parti opozitare, në rastin konkret presupozohet të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në takimin e Kurtit me të dy liderët e kësaj partie është biseduar për këtë, por askush nuk e di se cili emër është artikuluar si propozim i LDK-së. Ndoshta Vjosa Osmani, e cila qe kandiduar në zgjedhje për këtë post, synon ta ketë sërish atë. Ndoshta është folur për ndonjë emër tjetër. Por nuk besoj se zonja Osmani heq dorë nga ambicia e saj për ta vazhduar në një mandat të dytë detyrën e kreut të shtetit. Heshtja e saj e deritanishme më jep sinjalin se ajo ende shpreson për këtë.

Atëherë skenari rezervë mbeten deputetët e AAK-së. Nëse këta rrijnë në parlament, atëherë këtyre publikisht u duhet bërë oferta, duke njohur kushtet që ajo ka vënë. AAK-ja ka për qëllim të identifikohet si parti pro-amerikane, çka unë besoj se janë të gjitha partitë politike në Kosovë, veç Listës Srpska. Ndoshta edhe kjo listë për shkak të Grenellit. Por Grenelli është kundër Kurtit dhe nuk ka asnjë përpjekje të tij ta bindë Listën Srpska të qëndrojë në sallë gjatë zgjedhjes së presidentit.”

Në fund, ai shtoi se të gjitha ato më sipër janë pretendime dhe nuk ka asgjë definitive se si mund të rrjedhin gjërat, por nënvizoi rëndësinë që Kosova sa më parë të bëhet me institucione të reja.

Sipas tij, Kosova nuk mund të shkojë prapë në zgjedhje të reja, pasi një gjë e tillë do ta dëmtonte dhe do ta kthente pas si në të kaluarën.

“Megjithë këto kalkulime që bëra më sipër, më duhet të them se Kosova duhet të bëhet me institucione me çdo çmim. Nuk ka shans që ajo të shkojë sërish në zgjedhje. Ndryshe Millosheviqi i ri në Beograd është gati që ta spastrojë atë etnikisht prej shqiptarëve. Këtë e mësuam edhe një herë drejtpërdrejt nga ministrja e Vuçiqit dhe partnerja e Edi Ramës në qeverinë e Serbisë. Nuk e di çfarë duhet më shumë të mësojmë me qëllim që të kompaktësojmë veten përballë një rreziku të ri serb. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 si gjendje dhe si status. Nëse duan të kthehen, atëherë Bedriu, Lumiri, Ardiani dhe bashkë me ta edhe Albini të mbyten në një bunar të katër së bashku e së paku Kosova të shpëtojë prej tyre. Por mos e thashtë Zoti që në vend të këtyre të rikthehet Hashim Thaçi!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu