Kurti: Në qeverisjen e përbashkët me LDK-në do të kemi 30 për qind përfshirje të grave

Pas përfundimit të takimit me kandidaten për kryeministre në zgjedhjet e fundit nga LDK, Vjosa Osmani, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se në qeverisjen e përbashkët do të ketë 30 për qind përfshirje të grave.

Sipas tij kjo përqindje do të përfshihet tek ministrat dhe zëvendës ministrat.

“Jemi dakorduar të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor ku do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministreve dhe zëvendës ministreve. Do të kemi shumë më pak ministri dhe zëvendës ministra. Pra do të kemi më shumë angazhim dhe punë. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe të dakordohen për programet tona”, ka thënë ai duke shtuar se e kanë uruar njëri tjetrin për gjithçka.

“Besoj që do të na shkojë mbarë e mirë, sepse jemi pajtuar të qeverisim bashkë. Nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm, dhe për pozita që do të jenë ose të LVV-së ose të LDK-së, sepse duhet të presim numërimin e të gjitha votave”, ka thënë Kurti.

Ndryshe kandidatja për kryeministre në zgjedhjet e fundit nga LDK, Vjosa Osmani, ka thënë se ai që merr më shumë vota do të jetë në postin e kryeministrit.

“Ne si LDK e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe nëse rezultati konfirmohet kushdo që ka marrë më shumë vota, ne nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje kushdo që ka fituar ta marrë pozitën e kryeministrit. Ndërsa ku do të jem unë është vendim që do ta marrë në bashkëpunim me partinë”, ka thënë Osmani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu