Kurti për herë të parë flet pas lajmit për atentat ndaj tij, sa ndjehet i sigurt?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është prononcuar lidhur me lajmet e ditëve të fundit se ndaj tij kishte një plan për atentat. Ai ka nënvizuar se ka qenë në dijeni të planit, për tri atentate, duke përfshirë edhe dy figura tjera publike, por siç shtoi ndjehet i sigurt.

“Unë sa jam i sigurt nuk e di, por mund ta konfirmoj se ndihem i sigurt. Ndërkaq sa jam i sigurt vendosin organet e sigurisë të cilët i marrin masat adekuatë. Është e vërtetë që unë kam qenë në dijeni të planit për ato tri atentatet por e keni parë edhe nga informacionet që kanë dalë unë e kam ditur shumë më herët që qëllimi ishte frikësimi i popullësisë, destabilizimi i vendit, andaj kemi vlerësuar që publikimi i atij plani nuk ndihmon, përkundrazi ndihmon ata të cilët e kanë bërë planin, prandaj me të drejtë besoj që kemi vlerësuar që më mirë është që të mos bëhet publike, por çfarë masash merren në vijim edhe karshi planifikuesve të atentateve, edhe tash planifikuesit se di a kanë qenë një a më shumë, dhe sa i përket masave që duhet të merren për institucionet dhe zyrtarët shtetëor janë organet e sigurisë ato që vendosin”, deklaroi kryeministri Kurti.

Sipas televizion A2CNN, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë në vitin 2021 ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument i bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu