Kurti për një vit e gjysmë qeverisje: Lartësuam Kosovën në botë!

Kryeministri Albin Kurti ka renditur disa nga arritjet gjatë një vit e gjysmë qeverisje, duke përmendur rritjen ekonomike, pakon e ringjalljes ekonomike, të ardhurat doganore dhe të Administratës Tatimore, eksportet, luftën ndaj ekonomisë joformale, krimit dhe kontrabandën, vettingun në drejtësi si dhe Gjykatën komerciale.

Kurti nënvizon se përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon.

Sipas tij, në çerekun e parë të këtij viti rritja ekonomike shënoi 4.9%.

“Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj. Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur respektivisht 30.8% dhe 28%. Të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor. Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta. Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar”, nënvizoi kryeministri i Kosovës.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e nënshkruar me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë.

“Kemi luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej). Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lançuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës”,
shtoi më tej Kurti.

Kurti nënvizon se “me vettingun për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë”.

Sipas tij, edhe bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë problematikat përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet.

Kurti deklaroi se “kemi lartësuar Kosovën në botë duke u renditur të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe”.

Kryeministri nënvizon se për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu