Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaron se për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, dhe që sipas tij, vendi të mos shkoj përsëri në zgjedhje, “duhet të përfundoj sjellja refuzuese e opozitës”.
Kurti tha se do të përpiqen për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes, raporton KosovaPress.
Pas fillimit të rikonstruktimit në rrugën Malishevë- Arllat, Kurti për media tha se legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt.
“Tash është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.
Kurti kishte kritika edhe për Gjykatën Kushtetuese për çështjen e presidentit, për të cilën tha se nuk duhet të rishkruajë Kushtetutën por vetëm ta interpretojë.
“Por, natyrisht ju e dini që për çështjen e presidentit, zgjedhjes së presidentit ose presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, që t’ju them të drejtën ka pasur shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë. Dhe ne kemi pasur shumë shembuj kur kemi pasur një lloj aktivizmi juridik. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, tha ai.
Kryeministri në detyrë shpresoj që këtë herë të ndryshojë qasja e ish-opozitës dhe propozimeve të VV, që të mos iu përgjigjen me refuzime.
E për këtë, “nuk do të kenë më pjesë të identitetit që i bëri ti quajnë bllok opozitar”.
“Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë çasja e opozitës dhe propozimeve tona, sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do të kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar. Sepse e keni parasysh, ofruam bashkëqeverisje, thanë jo. Domethënë, me 15 deputetë ofruam katër ministri dhe zëvendëskryeministrin, refuzuan.. Pra, a e kuptoni. Për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës, ndërkohë që ne e kemi në karakterin tonë si lëvizje, prej se ekzistojmë”, tha Kurti.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje ka dalë partia e parë e cila ka fituar 52 mandate, ose 45.91% (353,119 vota).
PDK e dyta me 22 ulëse, ose 19.95% (153,437 vota). LDK e treta me 19 mandate ose 17.03% (131,027 vota) dhe Alenaca e katërta me 7 ulëse apo 6.89% (52,963 vota).










