Kurti: Shkolla duhet të jetë vend ku nxënësit mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi shkollën fillore të mesme të ulët “Enver Maloku” në Podujevë. Së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë kësaj vizite, panë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë.

Kryeministri Kurti tha se “është kënaqësi e veçantë që në këtë ditë e mot kaq të mirë të jemi bashkë me rastin e ndarjes së teksteve shkollore për nxënësit”.

“Shpresoj që do të bëjmë shumë punë të mbara edhe në qeverisje qendrore e lokale por edhe në mësimdhënie e në mësimnxënie për të gjithë nxënëset dhe nxënësit. Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta”, shtoi Kryeministri.

Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë prindërit për vullnetin e përkushtimin e madh që kanë për fëmijët e tyre.

“U garantoj që edhe nga pushteti qendror e lokal, por edhe nga kuadri arsimor këtu, do ta kenë gatishmërinë, interesimin e punën, ashtu që këta fëmijë kur të rriten nesër e të na zëvendësojnë neve, të jenë shumë më të mirë se sa të gjithë ne”, përfundoi Kurti.

Pas kësaj vizite në shkollë, Kryeministri Kurti dhe kryetari Bulliqi vizituan edhe çerdhen publike “Armela” në Podujevë, ku u pritën nga fëmijët dhe punonjësit e kësaj çerdhe, e cila po zhvillon procesin edukativo-arsimor me më të vegjëlit pa ndonjë pengesë./21Media


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu