Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Shefi i qeverisë tha se ky vendim rrëzoi akuzat e pabaza për trafikim organesh dhe krimet kundër njerëzimit teksa shtoi se Dhomat e Specializuara theksuan qartë se UÇK nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.
“Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. E para pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve as nuk bën pjesë e aktakuzës. E dyta akuzat për krimet kundër njerëzimit dhe sulmet e gjëra sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan dhe e treta Dhomat e Specializuara theksuan qartë se UÇK nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, tha fillimisht Kurti.
Ai pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Gjykata Speciale solli disa konkludime të cilat, siç tha, kanë gabime faktike, historike dhe juridike.
Kurti tha se këto gabime duhet të korrigjohen në Apel.
“Në të njëjtën kohë kemi shqetësime serioze për konkludimet tjera, besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike dhe presim që këto të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të përjetohet si e paanshme. Rreth 20 mijë njerëz janë viktima seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar, Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës. Ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dikush dëshiron të krijojë narrative alternative”, theksoi kryeministri Kurti./Klankosova.tv










