Kurti tregon çfarë bisedoi me Vuçiqin në Bruksel

Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.

Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se në takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, u diskutua për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.

“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, deklaroi Kurti, duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd.

Ai i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 23 gusht e quajti të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.

“Ne ishim të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo, nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, deklaroi Kurti.

Pala serbe pretendon se ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, dhe që automjetet e tyre me targa KM, PR, etj., t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës – KS, e jo RKS.

Kurti të mërkurën përsëriti se për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve për hyrje/dalje për qytetarët e të dyja shteteve.

“Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, tha ai.

Sa i përket riregjistrimit të veturave, Kurti tha se targat KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë.

Serbia po e cenon sigurinë nacionale të Kosovës

Kurti u shpreh i bindur që pala serbe, “panevojshëm dhe krejt artificialisht” është duke eskaluar, si retorikën, ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë.

Ai tha se qytetarët, të cilët i mbështesin “vendimet legjitime të Republikës së Kosovës, po kërcënohen vazhdimisht”.

“Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen”, theksoi Kurti.

“Nuk do të ketë pogrom të serbëve”

Duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk do të lejojë pogromin e serbëve nga Kosova, dhe se Serbia ka informata që po përgaditet likuidimi i disa personave në veri, Kurti gjatë konferencës për media pas takimit të Qeverisë tha:

“Asnjë pogrom nuk do të ndodhë. Unë ju garantoj këtë. Vetëm kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës në të gjithë territorin. Të gjitha ato deklarata për përdorimin e forcës, për pogrom, për likuidimin e serbëve, janë përpjekje për të sunduar mbi serbët e Kosovës përmes frikës. Por, serbët në Kosovë janë më mirë në Kosovë se në Serbi. Kosova është shtet demokratik, ndërsa Serbia është një autokraci ku nuk ka liri mediatike”, foli Kurti në gjuhën serbe.

Kërcënimet me largimin eventual të qytetarëve të minoritetit serb nga institucionet e Kosovës, sipas Kurtit, përbëjnë “dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radoiçiqi, e jo të atyre që integrimin e shohin si opsionin primar”.

“Unë besoj fuqishëm që përfaqësuesit e qytetarëve serbë më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar, dhe që kanë arritur deri në listën e zezë të SHBA-së”, deklaroi Kurti.

Milan Radoiçiq, është nënkryetari i partisë kryesore serbe në Kosovë – Listës Serbe. Ai kërkohet nga autoritetet kosovare për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica”, në të cilin dyshohet se ka “frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”. Po ashtu është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.

“Diskutim për marrëveshje të përgjithshme e jo menaxhim krize me hapa të vegjël”

Sipas Kurtit, në takimin e Brukselit, sipas agjendës së dakorduar më herët, ka qenë e paraparë që të diskutohet korniza e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë si dhe çështjet aktuale.

Për pikën e parë, Kurti tha se kanë dërguar propozim me gjashtë kapituj për mënyrën se si pala kosovare mendon se duhet të duket marrëveshja e përgjithshme për normalizim të marrëveshjeve.

Në këto pika, sipas Kurtit, kërkohet dakordimi për njohje reciproke, ballafaqim me të kaluarën, bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes dy shteteve, trajtimin e pakicave etnike përkatëse në dy shtetet, etj./rel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu