Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë që në bashkëpunim me Rusinë po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës.
Ai përmendi se, edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës, Serbia ende mban të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive në territorin e saj, ku janë varrosur viktima të gjenocidit në Kosovë.
Kurti kujtoi se gjatë luftës 13 mijë njerëz u vranë, përfshirë fëmijë, gra, dhe të moshuar, ndërsa rreth 20 mijë gra dhe vajza u dhunuan dhe keqtrajtuan e për këtë Serbia nuk kërkoi asnjëherë falje.
“Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës
25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.
Serbia flenë mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. 950 civilë të paarmatosur u masakruan, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Dëshmitë e gjenocidit janë të freskëta gjithandej në Kosovë e Serbi, por kjo nuk po e pengon Presidentin e Serbisë për të kërcënuar sërish”, ka shkruar Kurti në Facebook.