Kurtin e kritikoi, Vuçiqin e ‘ngriti në qiell’. Vjen reagimi i ashpër ndaj Ramës: Tradhtar, skandaloz

Panairi ndërkombëtar “Wine Vision Open Balkans” , i cili u zhvillua në Beograd në kuadër të Samitit të Ballkanit të Hapur ka përfunduar sot.

Panairi i verës u hap më 1 shtator nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas, Dimitar Kovaçeski.

Gjatë këtij panairi nuk u harrua të përmendet edhe Kosova, nga Rama dhe Vuçiqi.

Opinionisti Dedë Preqi për “Bota sot” komentoi mbajtjen e këtij samiti dhe rreziqet e këtij projekti.

Fillimisht, ai u shpreh se “Ballkani i Hapur” është një projekt shumë i rrezikshëm dhe që shumë lehtë mund të shndërrohet në një dramë teatrale.

Ai për këtë kritikoi ashpër Ramës, duke thënë se po e luan rolin e tradhtarit.

“«Open Ballkan» është një projekt i rrezikshëm i Serbisë dhe Vuçiqit, dhe përmes udhëve të tërthorta të kësaj iniciative është një plan i kurdisur mirë, që Kosovën, ta fusë në një grackë të rrezikshme edhe pse duket se është një iniciativë ekonomike, në realitet është krejtë ndryshe, që ka tendenca dhe strategji politike.

Kjo iniciativë sikur po shdërrohet në një dramë teatrale, ku rolin kryesor e luan vetë iniciatori i saj Aleksandër Vuçiqi, dhe në rolet tjera vijnë nga Maqedonia veriore, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, dhe Shqpëria, ndërsa Kosova e refuzon me çdo kusht, me ç’rast Edi Rama, në këtë dramë e luan rolin e tradhtarit.

“Pse Edi Rama, në «Open Ballkan» po e luan rolin e tradhtarit, përgjigja është e qartë, kur thotë në samitin e fundit të kësaj iniciative që u mbajtë këto ditë në Beograd, se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë, do të ishte e mundshme, sikur edhe Kosova, do t’i bashkangjitej kësaj iniciative, dhe heqja e dokumenteve të qytetarëve për hyrje-dalje, do të ishte zgjidhje e «Ballkanit Hapur» sipas kryeministrit Edi Rama”, deklaroi ai.

Sipas Preqit, Rama në Beograd e ngriti në ‘qiell’ Vuçiqin, derisa kritikoi ashpër Kurtin dhe Kosovë.

Ai shtoi se deklaratat e Ramës janë shumë skandaloze dhe çoroditëse, ku duke e luajtur rolin e tradhtarit kombëtar, një mënyrë po e ndihmon Vuçiqin

“Edi Rama, në samitin e Beogradit, e kritikoi Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti, për qëndrimet e ngurta në mosmarrëveshjen me Serbinë, duke e ngritur në qiell Aleksandër Vuçiqin, dhe sipas tij, do të ishte mirë që edhe Kosova, të bëhet pjesë e kësaj iniciative serbe, i cili i ftoi edhe vendet tjera rajonale, që të bëhën pjesë e kësaj iniciative, sepse do të ishte në të mirën e të gjithëve, sipas Edi Ramës.

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama, janë shumë skandaloze dhe çoroditëse, duke e luajtur rolin e tradhtarit kombëtar, një mënyrë po e ndihmon Vuçiqin, të realizojë planet e tij, që ka ndaj Kosovës, për ta futur edhe njëherë nën kthetrat e Serbisë, që përmes «Open Ballkan», do të realizonte qëllimet antishqiptare, në veçanti ndaj Kosovës, dhe do të vazhdonte atë projektin ku e ka lënë Millosheviqi, pa e realizuar.

«Open Ballkan» është një projekt i nismës prapavepruese, sepse në zemrën e saj fshihet një sekret shumë i rrezikshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, i cili përpinë në vetëvete një koncept të natyrës që mbështetetët në ligjet e natyrës dhe historisë serbe, dhe këtu qëndron edhe inicimi i këtij projekti, që po i kundërvihet edhe procesit të Berlinit, i cili do ta kishte komplet përkrahjen e Kosovës, sepse vetëm një iniciative e tillë e Berlinit, do ta merrte parasysh dhe besimin e qytetarëve të Kosovës, që do të ishte edhe i gjithë thelbi i së vërtetës së iniciativave të tilla, duke njohur dhe ditur historinë dhe aventurat e Serbisë, sëcilës është vështirë për ti besuar”, theksoi opinionisti.

Në vazhdim, ai në bazë të veprimeve Ramës, e cilësoi këtë si një akt të tradhtëisë më të ultë në çdo aspekt.

Madje, potencoi se kryeministri shqiptar po shkon hapave të Vuçiqit, i cili është aleati i betuar i Putinit.

“Në cilindo rreth njerëzor dhe fjalor, që marrim fjalën «tradhtar» dhe aty ku normat njerëzore qofshin edhe jo aq të larta të qytetërimit, ky akt i tradhtisë së Edi Ramës, mund të merret si më i ulti në çdo aspekt të marrëdhënieve shoqërore, të cilin nuk do e çmonte dhe vlerësonte askush për së gjalluri dhe as përsëvdekuri, si pasojë e një akti të poshtër njerëzor.

A mundet të na bind dikush se një përfaqësues shqiptar i llojit të tillë, sikur Edi Rama, i cili është i gabuar në parimet dhe integrimet e shoqërisë tonë shqiptare, pra është një abuzues ordinar i kësaj shoqërie, tani do të arsyetohet me na mbushë mendjen se në të ardhmën do të bëjë diçka të mirë për shqiptarët, duke shkuar hapave të Vuçiqit, i cili është aleati i betuar i Putinit, kur edhe bota e dinë se, Serbia po i luan dy role të rrezikshme për Evropën, në njërën anë nuk i ndahet Rusisë fashiste, ndërsa në anën tjetër përkëdhelet me Evropën”, nënvizoi Preqi.

Gjithashtu, opinionist përmendi disa vlera të larta të poullit shqiptar, përfshirë besnikërinë, bujarinë…

Krahas kësaj, veprimet e fundit të Ramës e Vuçiqit i krahasoi me veprimet në të kaluarën të Enver Hoxhës dhe Sllobodan Millosheviqit.

“Populli ka të drejtë të thotë mendimin dhe fjalën e vet, ku është vetëdija dhe bindja e tij, apo nuk u vetëdijësua nga kurthat e Serbisë, në një të kaluar shumë të afërt, që të njejtit duan edhe sot të përsërisin turpin e tyre ndaj shqiptarëve, por këtë herë në një mënyrë tjetër më «përgëdhelëse», përmes «Ballkanit të Hapur».

Shqiptarët si asnjë popull tjetër i kanë disa veçori fisnike në historinë e tyre, të cilët dallojnë nga të tjerët, sidomos me fisnikërinë, bujarinë dhe besën, të cilën këtë të fundit e kanë lënë në rrugë, duke ia vënë petkun e tradhëtisë, sepse besa dhe krenaria shqiptare e vërtetë po blihet sot me lek, bile edhe shumë lirë, çka nuk ka qenë traditë e jona shqiptare kurrë ndonjë herë.

Ku do shqiptarët që janë, me ofshamje e dhimbje e shpalojnë dhe shpjegojnë të kaluarën e tyre historike, të cilën kohë do ta quanim një periudhë të së kualuarës të dhunës dhe presionit nga pushtuesit dhe egërsirat e kohës, por si do ta quanim këtë periudhë të lirisë dhe demokracisë, që nuk dallohet prej më të keqës, kur në shekullin e civilizimit dhe modernizimit njerëzor, ia përgadisim vetës kushtet e ringjalljes së lugetërve, Enver Hoxha, dhe Sllobodan Millosheviqi”, shpjegoi ai.

Më tej, tha se shqiptarët gjithmonë kanë pasur tradhtarë në mesin e tyre, porn ë ditët e sotme ata janë bërë me bollëk dhe po iu prin Edi Rama.

Ai supozoi se Rama po bënë pazare të fshehta me Vuçiqin, në dëm të Kosovës dhe popullit shqiptarë të këtij vendi.

“Tradhtarë e «hyzmeqarë» të armikut, shqiptarët kanë pasur gjithëherë me bollëk gjithmonë, por sot të tillët janë bërë më bollëk se asnjëherë tjetër, që po u prinë Edi Rama, i cili ndoshta për të marrë ndonjë dekoratë, apo mirënjohje nga Evropa» rraspilluese», ky njeri bënë pazare të fshehta me Vuçiqin, në dëm të Kosovës dhe popullit shqiptarë të këtij vendi.

Me Serbinë, gjithëçka mund të arrihet me një dialog të hapur dhe të sinqertë, të kulturuar dhe transparent, që t’i japim rëndësi e ta pranojmë se jemi shumica një popull shqiptarë, duke marrë në konsideratë dhe të drejtat e pakicave tjera, që ti gjejmë vetë gabimet tona dhe ta ndihmojmë gjetjen e zgjidhjes së problemëve, të cilat na kanë kapluar dhe robëruar të ardhmën e këtij vendi”, vlerësoi opinionisti.

Në fund, Preqi tha se Kosova duhet t’i besojë forcave të veta mentore dhe politike, por edhe në projektet e një Evrope të bashkuar dhe demokratike

“Dhe qartësisht ta bindim së pari vetëveten se, çfarë jemi duke përfituar me këto koncepte të inateve partiake dhe personale dhe se ku do na qojnë këto demagogji dhe principe të gabuara njerëzore, të cilat mund të jenë në shërbim të armikut tonë. Kosova duhet t’i besojë forcave të veta mentore dhe politike, por edhe në projektet e një Evrope të bashkuar dhe demokratike, që edhe ne, ta gëzojmë respektin e një shoqërie të zhvilluar dhe të pranuar në kombet e lira të kësaj bote.

Ne, nuk duhet të presim, apo të mësohemi që zgjedhjen e problemeve gjithmonë ta gjejmë nga të tjerët, ne duhet tu besojmë shumë forcave tona të shëndosha të cilat i kemi në mesin tonë, të cilat mund të jenë të arritshme dhe të pranueshme në demokracinë tonë, duke u bazuar në kuadrot e tyre akademike dhe shkencore, që janë të dëshmuara në tërë globin njerëzor”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu