Një debat mes ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është zhvilluar sot në Kuvend mbi përvojën politike të anëtarëve të kabinetit qeveritar në opozitë.
Përplasja nisi pasi Tahiri kërkoi nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që të ushtrojë llogaridhënie ndaj kabinetit të Qeverisë Kurti 4, duke pretenduar se në përbërjen e tij ka ministra që nuk kanë qenë asnjëherë në opozitë.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e ministres Kusari-Lila, e cila e kundërshtoi pretendimin e Tahirit, duke thënë se një pjesë e madhe e përfaqësuesve të kabinetit kanë pasur përvojë opozitare, qoftë në politikë apo në shoqërinë civile.
Kusari-Lila: Një pjesë e madhe e përfaqësuesve të kabinetit kanë pasur përvojë opozitare
“Zotëri Tahiri na renditi neve si anëtarë të kabinetit qeveritar në disa radhë. I kërkoi Grupit Parlamentar të LVV-së të na mbajë në llogaridhënie, si pjesë e demokracisë së brendshme, pasi shumica prej nesh asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e opozitës. Ky nuk është fakt, por deklaratë e gabuar. Prej kreut të Qeverisë, Albin Kurtit, si opozitar që nga regjimi i Millosheviqit e në vazhdimësi në periudhën e demokracisë pas çlirimit dhe pastaj formimit të institucioneve, edhe dymbëdhjetë përfaqësues të kabinetit qeveritar ose kanë qenë opozitë parlamentare, ose opozitë nga shoqëria civile. Të hedhësh një deklaratë të tillë nuk është e saktë”, shtoi ajo.
Por, Tahiri nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij. Ai deklaroi se kishte kaluar dhjetë vjet në opozitë (2007 deri më 2017), ndërsa për Kusari-Lilën tha se nuk kishte qenë në opozitë, përveç kohës kur ishte pjesë e LDK-së.
Tahiri: Unë kam qenë 10 vjet në opozitë, Kusari-Lila kurrë nuk ka qenë në opozitë
“Thjesht, shkurt e shqip. Ky deputet që është përballë jush ka qenë dhjetë vjet me juve në opozitë. 2007–2017. Zonja që foli ka qenë në opozitë vetëm kur ka qenë me LDK-në, kurrë në jetë nuk ka qenë në opozitë”, tha ai.
Pas kësaj deklarate, Kusari-Lila reagoi sërish, duke rikujtuar periudhat kur, sipas saj, kishte qenë në opozitë.
Kusari-Lila: Këto janë periudhat kur kam qenë në opozitë
“Ky ma kujtoi mua se unë kam qenë vetëm një herë në opozitë. Unë kam qenë në opozitë të qeverisjes suaj, 2017–2020, e pastaj edhe një herë në vitin 2020, prej gjysmës së vitit, kur është rrëzuar Qeveria Kurti I”, tha ajo.










