Kusari-Lila: Thaçi e Vuçiqi kanë manipuluar me dialogun për qëllime të veta

Për Mimoza Kusari Lilën, deputete e Alternativës në Kuvendin e Kosovës, ajo që është duke ndodhur me Ekipin negociator të Kosovës është më keq se sa që është pritur.

“Tash po del që ka të bëjë edhe me shkelje të ligjit dhe nepotizëm, me listat e punësimit aty që vetëm nisën të dalin”, ka thënë Kusari Lila.

Duke folur për dialogun në tërësi, në Interaktiv të KTV-së, Kusari Lila ka thënë se nuk mund të pritet një ndryshim duke parë veprimet në Kosovë dhe në Serbi.

“Presidenti Vuçiq atje po ballafaqohet me presion të madh qytetar, në masë të madhe për shkak të censurës dhe kontrollit të plotë të informacionit. Për fat të keq, opozita atje ka qëndrime edhe më të këqija se Vuçiqi në raport me Kosovën. Nëse duhet të kemi vizion dhe vullnet, duhet që e gjithë shoqëria kosovare të bashkohet për një dialog i cili e vë Serbinë në një pozitë më të vështirë në raport me dialogun me Kosovën”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo ka shprehur bindjen se si Thaçi në Kosovë, ashtu edhe Vuçiqi në Serbi kanë manipuluar me opinionin publik në raport me dialogun.

“Ka pasur vetëm një qëllim, që t’u shërbejë këtyre dyve për karrierën e tyre politike”, ka thënë ajo.

Duke folur për idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve, ajo ka thënë se nuk mund ta nëse ka qenë test i tij apo thjeshtë naivitet i tij.

“Por ka qenë tepër joserioze dhe tepër e rrezikshme nga ana e Thaçit të proklamojë idenë e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë ajo.

“Tash po shohim që dialogu vetëm është stopuar”, ka shtuar më pas Kusari Lila.

Ajo është pyetur edhe për punësimet e AAK-së, anëtarë të së cilës kanë treguar se janë të gatshëm të punësojnë militantët e tyre para të tjerëve.

“Më duket se nuk janë ndarë keq në aspektin e pasurisë, kah e kanë marrë atë pasuri nuk e di. Se ku e kanë marrë gjithë atë pasuri të bëjnë jetë luksoze nuk e di. Spektri i djathtë parashohin një sektor privat të mirëfilltë. Por, këtu kemi të kundërtën, kemi tkurrje të vendeve të punës në sektorin privat. Ka një ngritje në investime kapitale, por që janë afatshkurtra, nuk ka rritje të punësimit në sektorin prodhues. Krejt çfarë flasim në një matematikë të thjeshtë nuk arsyetohen deklaratat e tyre për punësimet familjare të tyre. Si arsyetohen punësimet deri të 200 personave në një kompani që është duke falimentuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se, “sa e konsiderojnë se mund të vazhdohet me këtë trend, para se të deklarojnë se nuk e kanë idenë për një qeverisje të mirëfilltë”.

Sipas Kusari-Lilës kjo qeveria shumë shpejtë ka shtrirë ndikimin e saj mbi sistemim gjyqësor.

“Nuk kam asnjë dyshim se ka persona me integritet të lartë, por problemi qëndron se udhëhiqen nga persona jo të duhur. Sistemi gjyqësor nuk është vetëm me këtë Qeveri, por këta kanë zënë hapin shumë shpejtë të shtrirë ndikim e tyre edhe në gjyqësor”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka folur për partinë e saj Alternativën, dhe cili është synimi i partisë.

“Alternativa ka një mori aktivitetesh. Ka një orar të ngjeshur dhe do të formohen disa degë të reja. Ideja prej fillimit ka qenë që partia të mos identifikohet me individin por me programin. Këto muajt e fundit ka qenë një zile alarmi se a duhet të identifikohet me dy persona apo për planprogramin e vet. Alternativa nuk identifikohet vetëm me mua, pasi janë edhe personat e tjerë. Fokusi po shkon në çështjet e barazisë gjinore”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila është pyetur edhe nëse Ilir Deda vazhdon të jetë pjesë e Alternativës.

“Ilir Deda është i mirëseardhur, ai është bashkëthemelues. Kur jemi regjistruar në KQZ ai zyrtarisht është pjesë e Alternativës. Megjithatë kjo është pyetje për Ilir Dedën”, ka thënë Kusari-Lila.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu