Kush do të dalë në mejdan për president? BDI-ja kërkon Ahmetin, LSDM-ja dhe DPMNE-ja me kandidatët e njëjtë?

Dje edhe zyrtarisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari shpalli kandidaturën e tij. Ai tha se vetëm një ditë më parë ka vendosur për ta pranuar ofertën të cilën e ka marrë para një muaji. Vlerësimi i tij është se ky është një hap i mirë, e duke pasur parasysh se përveç zgjedhjeve presidenciale do të mbahen edhe parlamentaret, mendohet se në këtë mënyrë BDI-së do t’i jepet goditje si kundërshtare e tyre politike. Por, Taravari në këtë garë presidenciale do të përballet me disa fronte, duke marrë parasysh përplasjet në ASh dhe paralajmërimin e Selës për shkarkimin e tij, prandaj që në fillim të garës do të ketë një barrë shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në të njëjtën kohë, në garën do të udhëheqë fushatë për kandidaturën e tij, por edhe për zgjedhjet parlamentare.

“Jam i sigurt në mbështetjen tuaj. Pres me respekt votën e çdo njërit nga ju. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një president shqiptar, jo teknikisht, por realisht. I uroj çdo kandidati sukses dhe qoftë kjo një fushatë frymëzimi, europianizimi dhe triumfi. Ndryshimi filloi dhe kjo tashmë po vërehet”, tha Arben Taravari, kandidat për president.

Por, VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja dhe BDI-ja ende taktizojnë me publikimin e kandidatëve. Edhe pse mendohej se BDI-ja do ta mbështesë kandidatin e LSDM-së, gjithnjë e më të zëshme janë paralajmërimet se partia do të shkojë me kandidat të saj. Në lojë ishte edhe emri i ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, por pasi Grubi publikoi fotografi në të cilën shkroi “Vetëm Ali Ahmeti”, sikur e “zbehu” mundësinë se shefi i diplomacisë mund të jetë kandidat për president.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se do të dalin me profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova e cila ishte kandidatja e tyre edhe në zgjedhjet e mëparshme, ndërsa në opinion përmendet edhe emri i profesorit Aleksandar Spasenovski dhe emri i ish kryetarit të ASHAM-it, Lupço Kocarev. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski në emisionin e djeshëm Klik Plus nuk deshi të zbulonte se kush do të jetë kandidati i tyre por tha se në LSDM do të jetë Radmilla Sheqerinska. Kjo e fundit menjëherë e mohoi këtë informacion.

“-Shumë shpejt do ta dimë emrin e kandidatit.

Ju nuk e dini?

Jo, me të vërtetë jo, dhe do të ishte mos njohëse që unë tani ta tregoj portretin ose emrin e kandidatit. Kryetari i LSDM-së plason informacione të ndryshme. Informacionin e fundit që e kam është se para disa ditësh ka thënë se Radmilla Sheqerinska do të jetë kandidate për president”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga LSDM thonë se nuk mund të tregojnë se kush do të jetë kandidati i tyre për shkak se kjo ende është në fazë të procedurave partiake. Kandidati më serioz është presidenti aktual Stevo pendarovski i cili tha se do ta pranojë kandidaturën nëse është kandidat konsensual, por pasi nuk e nënshkroi dekretin e ligjit për lojërat e fatit, BDI filloi të tregojë emra për kandidatin e tyre, kështu që me shumë gjasa Pendarovski nuk do ta ketë përkrahjen e BDI-së. Përveç Pendarovskit, me ambicie për të hyrë në garën për shefin e ardhshëm të shtetit është edhe ish ministri i brendshëm Oliver Spasovski.

“Nuk do të doja për momentin të përmend asnjë kandidat duke marrë parasysh se kjo gjë nuk është sipas statutit, sipas meje nuk është as etike, megjithatë vetëm do të theksoj se, për shkak se shumica e pyetjeve kanë të bëjnë me atë nëse presidenti Pendarovski do të kandidohet për mandatin e dytë, unë mendoj se ai e bëri shumë mirë punën e tij”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Përndryshe deri më tani, me kandidatura ka dalë “Levica” me profesoreshën Biljana Vankovska, ndërsa kandidat i pavarur do të jetë infektologu Vello Markovski. Kandidatë të tyre paralajmëruan edhe nga partia e kryetari të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, “ZNAM”./tv21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu