Kush e alarmoi Malin e Zi për aeroplanin me kriminelë serbë që udhëtonte drejt Podgoricës?

Mediat malazeze kanë raportuar se shërbimet franceze të sigurisë, thuhet se kanë paralajmëruar autoritetet e Malit të Zi për ardhjen e një fluturimi çarter nga Beogradi me persona të lidhur me mjedise kriminale dhe me Partinë Përparimtare Serbe.

Kompania franceze VINCI, e cila menaxhon aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, ka qenë e para që ka pasur informacion për këtë fluturim çarter.

Përmes oficerit të saj ndërlidhës, ajo e ka njoftuar njësinë franceze të inteligjencës DGSE (Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Jashtme), e cila më pas ka alarmuar autoritetet malazeze, sipas portalit malazez Antena M.

DGSE ka alarmuar Podgoricën pasi ka marrë informacione për një fluturim drejt Tivatit në prag të samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin merr pjesë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, transmeton Telegrafi.

Edhe pse autoritetet franceze nuk i kanë komentuar zyrtarisht këto pretendime, vetë fakti që përmendet DGSE tregon seriozitetin e situatës.

Bëhet fjalë për një shërbim që shpesh quhet “CIA franceze”, një organizatë e ngarkuar me mbledhjen e informacionit të inteligjencës jashtë vendit, luftimin e terrorizmit, operacionet kundërzbulimit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare franceze në mbarë botën.

DGSE – përgjigjja franceze ndaj CIA dhe MI6

DGSE është themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa formën e sotme e ka marrë në vitin 1982. Roli i saj mund të krahasohet me CIA-n amerikane ose MI6 britanike. Selia e shërbimit ndodhet në Paris dhe, sipas të dhënave të disponueshme, punëson rreth 7000 persona dhe ka një buxhet prej gati një miliard eurosh në vit.

Ndryshe nga shërbimi i brendshëm DGSI, i cili vepron brenda territorit të Francës, DGSE fokusohet në kërcënimet e jashtme, shkruan nova.rs.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu