Bekim Sejdiu (1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe emri për të cilin janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e presidentit të Kosovës.
Para emërimit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, në prill të vitit 2015, Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri në vitin 2012, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2014 ka shërbyer si konsull i përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork. Para emërimit si ambasador, ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Që nga viti 2002, Sejdiu është profesor asistent në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet themelore në drejtësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999. Ka kryer magjistraturë në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Bilkent në Turqi, si dhe magjistraturë në demokraci dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës. Doktoraturën e ka përfunduar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane – Nova Univerza në Slloveni.
Gjatë angazhimit të tij publik, Sejdiu është fokusuar në promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Ai ka qenë ndër themeluesit dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, ndërsa nga viti 2000 deri në vitin 2002 ka qenë drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Për veprimtarinë e tij publike, Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje, përfshirë Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësin e qytetit Worcester në Massachusetts dhe Medaljen e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë.
Sejdiu ka ndjekur gjithashtu vizita dhe programe studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka botuar punime akademike në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.










