Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i atillë që as nuk do t’i plotësonte dëshirën Vetëvendosjes për të shkuar në zgjedhje, por as nuk do t’ia miratonte Presidentit Thaçi mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Mes një bllokade e polarizimi të skenës politike, Gjykata Kushtetuese mund të dalë me një rrugë të tretë, që do të evitonte në të ardhmen krijimin e disa precedentëve
Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhje me çdo kusht, ndërsa Presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër, që është kandiduar nga LDK’ja, si partia e dytë e zgjedhjeve të 6 tetorit. Të dyja palët insistojnë të veprohet sipas pozicioneve të tyre, ndërsa trupa e Gjykatës Kushtetuese po e trajton këtë bllokadë politike në vend.
Si opsion po shihet mundësia që Kushtetuesja të dalë me një aktgjykim, sipas të cilit, do të binte poshtë dekreti i Presidentit Thaci dhe do t’i jepej VV’së edhe një mundësi për të kandiduar dikë për kryeministër, por kësaj radhe do të kishte një afat kur duhet ta dorëzojë emrin.










