Ky është flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Arkivoli i Ismail Qemalit u mbulua me flamurin kuq e zi. Kjo u arrit me vështirësi për shkak të rrethanave. Ky flamur ka mbetur në histori, ashtu si edhe ai i Pavarësisë. Në një shkrim të djeshëm në Dita Online shpjegohej dhe flitej për vdekjen dhe varrimin e njeriut që e shpalli Shqipërinë të pavarur, në Vlorë, 104 vite me parë.

Mësohet se, në përpjekje për të ndikuar tek Roma zyrtare mbi çështjen shqiptare në vitet 1918-19, pas Luftës së Parë, Ismail Qemali niset drejt kryeqytetit italian.

Por autoritetet i kërkojnë të ndalojë në Peruxhia derisa të merrej një përgjigje nga Roma nëse ai mund të pritej atje.

Në hotel “Brufani” ku kishte bujtur, ai vdes nga një hemorragji cerebrale më 26 janar 1919. Balsamosja e trupit para se të dërgohej në Shqipëri, hodhi që atëherë dyshime për ndonjë helmim të qëllimshëm, pasi Italia mbante ende protektoratin mbi Vlorën.

Patriotët shqiptarë kërkuan sjelljen e trupit për t’u varrosur në sheshin qendror të Vlorës, por komanda ushtarake italiane, me justifikimin e projektit ende në studim të rregullimit të sheshit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës.

Ironikisht, është e hidhur që italianët morën përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, dhe vunë kushtin që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar dhe të mos kishte shpërthime patriotike, pikërisht në qytetin ku ishte shpallur Pavarësia.

Pas disa debatesh u arrit marrëveshja e komandës italiane me këshillin bashkiak shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me flamurin shqiptar.

Nga Peruxhia, trupi i pajetë i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindisit. Arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë.

Herën e dytë, rivarrimi i Ismail Qemalit është bërë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932 ose 20-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë.

Flamuri që ka prekjen e fundit të Ismail Qemalit

Sa herë që kujtohet Ismail Qemali kujtohet edhe flamuri. Të dy nuk mund të mendohen të ndarë. Ndaj, ne po qëndrojmë të flamujt që kanë shënjuar historinë e Shqipërisë.

Flamuri që Ismail Qemali mori si kujtim nga Shqipëria pas largimit dhe me të cilin i biri Et’hem Bej Vlora mbuloi arkivolin e të atit natën e 10 shkurtit 1919, ku luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës trupin e pajetë të Babait të Kombit, u ekspozua për herë të parë në Qendrën e Studimeve Albanologjike në vitin 2012.

Flamuri ndodhej në fondin etnografik që prej vitit 1957 dhe u zbulua katër vite më parë nga restauruesi Frederik Stamati dhe historiania Ariola Prifti, të cilët pas disa kërkimeve dhe verifikimeve dolën në konkluzionin se ai ishte flamuri me të cilin ishte mbuluar arkivoli i Ismail Qemalit, në varrimin e parë në shkurt të 1919-ës dhe në rivarrimin e tij, në vitin 1932, në Sheshin e Flamurit në Vlorë.

Sot, dy ditë pas kremtimit të 104-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ne kemi bërë një bisedë më mjeshtrin, Frederik Stamati, i cili na ka treguar më shumë jo vetëm për këtë flamur, por të shumë të tillëve që kanë qenë dhe janë ngritur në momente me historike të Shqipërisë, duke i kthyer kështu në sende të rralla dhe me vlerë.

Stamati rrëfehet në këtë intervistë për DITA-n…

-Z. Stamati, çfarë do të thotë për ju 28 Nëntori, duke patur parasysh që i keni qëndruar shumë pranë gjatë këtyre viteve edhe simbolit tonë kombëtar, flamurit?

28 Nëntori për mua është njësoj si edhe për të gjithë shqiptarët, Pavarësia. Por fati e ka dashur që të kem edhe disa lidhje familjare me këtë datë. Për shembull gjyshi im, Kol Stamati, ka qenë dy herë i internuar në Ulqin nga turqit për veprimtari patriotike.

Ai së bashku me njërin prej xhajave të mi, Arkilenë, shkoi në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë, në përbërje të delegacionit të Durrësit, por që nuk e dimë detyrën. Unë nuk e kam arritur gjyshin, por xhaja më ka treguar për rrugën që bënë me kuaj nga Durrësi në Vlorë, në ditë me shi, nëpër këneta, njëlloj sikurse e kemi parë në filma.

Kur u ngrit flamuri nga Ismail Qemali ai ka qenë në shesh. Sheshi ishte mbushur me njerëz që brohorisnin dhe mbanin në duar flamuj, që i valëvitnin. Kjo tregon shumë. Tregon atë që mohon Eqerem bej Vlora kur thotë se atë ditë nuk kishte flamuj në Vlorë dhe se askush nuk e dinte se si ishte flamuri.

Një tjetër lidhje është se daja i nënës time, Kristo Meksi, ka shoqëruar Ismail Qemalin në udhëtimin nga Bukureshti në Vlorë, duke mbajtur “thesarin”, që kishte marre me vete për shtetin shqiptar, që do të krijohej. Pas shpalljes së Pavarësisë ai ka punuar si sekretar në qeverinë e Ismail Qemalit.

Por ka edhe një lidhje tjetër. Kur ishte në Tiranë, Marigoja ka banuar në të njëjtën shtëpi me nënën time. Ajo, ndonëse e vogël, e mbante mend Marigonë dhe ma ka përshkruar. Gjithashtu më ka treguar, se babai i saj, Nikoja, i thoshte së shoqes, pra gjyshes time: “Kjo grua qëndis flamuj”. Edhe kjo përbën një të dhënë interesante: Marigoja kishte nam në të gjithë Shqipërinë, si qëndistare flamujsh.

E po të shkojmë më thellë në histori do të përmend Lidhjen e Prizrenit, Petro Meksin, me shoqërinë Drita, dhe me financimin e shkollës shqipe, botimet në shqip, etj

–Megjithë këto lodhje që keni patur, çfarë dini ju për flamurin që u ngrit në Vlorë në 28 Nëntor, 1912?

Nuk mund të di më shumë nga sa kanë ditur historianët pranë asaj periudhe. Unë kam bërë përpjekje për të rënë në gjurmët e atij flamuri, por e pamundur. Sidoqoftë ishin pikërisht këto përpjekje që më bënë të mos e kisha të vështirë të identifikoja flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali.

E në këtë pikë nuk mund të rri pa përmendur kontributin shumë të madh të Ariola Priftit. Çështja e flamurit të Pavarësisë komplikohet nga “ndërhyrjet” e shumë protagonisteve të asaj ngjarjeje, ku secili thotë se flamuri që ngriti Ismail Qemali, ishte pikërisht flamuri që kishin sjellë ata në Vlorë.

Madje edhe kanë botuar nëpër gazeta. Njërin rast kam arritur ta shmang nga ngjarja. Por ka një të vërtetë: atë ditë në Vlore ka patur shumë flamuj dhe gjithsekush ka valëvitur flamurin e tij. Madje ata që kanë qenë pranë Ismail Qemalit edhe mund t’ia kenë dhënë flamurin e tyre për ta valëvitur.

Dëshmohet se delegatët shpalosën në sallë flamurin e Eqerem bej Vlorës dhe filluan të këndojnë Himnin kombëtar, ndërkohë një tjetër flamur iu shfaq popullit në shesh. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë flamur nga ajo ditë. Për kohën në vijim, po.

-Dhe vijmë të kohët në vijim… Në 2012 u zbulua për herë të parë flamuri me të cilin është mbuluar arkivoli i Ismail Qemalit. Si u gjend ai? Sa siguri ka që është pikërisht ai flamur dhe si e identifikuat mes shumë të tjerëve?

Lidhur me historinë e zbulimit të flamurit me të cilin u varros Ismail Qemali, se bashku me Ariolën kemi punuar shumë. Ariola po punonte për inventarizimin e një sërë objektesh të panjohura në fondin etnografik.

Gjeti edhe një kuti kartoni ku ndodheshin katër flamuj. Në atë kohë unë po punoja në Muzeun Historik. Ishin ditët përpara festave të nëntorit 2011. Më njoftuan. Shkova dhe filluam të nxirrnim me kujdes flamujt delikatë. Fillimisht u identifikua flamuri i Kongresit të Lushnjës.

Pastaj nxorëm një flamur të leshtë. Menjëherë më kaluan nëpër mend dokumentet që kisha lexuar në Arkivin e Shtetit dhe flamuri m’u duk i njohur. Nga mbrapa kishte një vulë ku përmendej edhe fjala Vlorë. U ktheva në shtëpi dhe rilexova dokumentet. Po! Pas pushimeve takova Ariolën dhe i tregova dokumentet. Gëzimi ynë ishte i pakufi. Njoftuam menjëherë drejtorin e QSA. Nuk bëmë zë. Lajmi u dha në fund të janarit 2012 mbasi u konfirmua edhe nga një grup profesorësh të historisë.

Identifikimi u bë në bazë të dokumenteve të Muzeut Kombëtar që ruhen në Arkivin e Shtetit. Aty tregohet se si ka qenë ky flamur, lloji i pëlhurës, qepja e dy pëlhurave të leshta bashkërisht, dimensionet, shqiponja e stampuar dhe forma e saj, etj.

Njëkohësisht tregohet se këtë flamur e dhuroi për Muzeun Kombëtar i biri i Ismail Qemait, Et’hem bej Vlora, duke treguar edhe historinë e tij. Ariola gjeti edhe një fotografi të bërë me rastin e rivarrosjes së Ismail Qemalit në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ku duket arkivoli i mbuluar me flamurin, në të cilin dallohet edhe litari i prerë që shërbente për ta ngritur flamurin në shtizë, se edhe nyja ku është lidhur litari. Por duhet thënë se pa dokumentet në Arkiv, identifikimi do të ishte i pamundur.

-Sa i dëmtuar ka qenë?

Flamuri nuk ishte shumë i dëmtuar. Ai është valëvitur disa muaj në ndërtesën e Doganës së Vlorës, ku u vendos qeveria, derisa Ismail Qemali e mori me vete. Natyrisht që ka pësuar diçka nga era dhe kripa e detit, por jo shumë. Sidoqoftë ishte pak pis nga pluhurat dhe nga koha.

-Sa i rëndësishëm është ku flamur duke patur parasysh që është prekur për herë të fundit nga Ismail Qemali, a është ruajtur kjo prekje nga restaurimi, apo larja që mund t’i jetë bërë, si është vepruar?

Kishte shume probleme, si fortësia, vjellja e bojës, frika se mos te zhdukej vula, etj, por për mua ishte edhe ana psikologjike: ai flamur mbante prekjen edhe të Ismail Qemalit. Sidoqoftë, për hir të ruajtjes u detyruam t’i bënim një larje të lehtë, brenda normave teknike të larjes së tekstileve në muzeum.

Mbas larjes boja e kuqe e copës së leshte u rifreskua, ndërsa vula nuk pati asnjë dëmtim. Natyrisht që përpara kishim bërë shumë prova për qëndrueshmërinë e përgjithshme.

-Ju thoni se janë 18 flamuj që ndodhen në Fondin Etnografik. Çfarë keni mundur të zbuloni prej tyre dhe sa në gjendje janë?

Flamujt që ndodhen në Fondin etnografik vijnë nge Muzeu kombëtar. E keqja është se ata nuk janë dorëzuar me inventar dhe përshkrimin përkatës. Është për t’u çuditur se si gjithë ato figura të nderuara të historisë së Shqipërisë që kanë punuar në atë muze, edhe ata të Institutit të shkencave më vonë, nuk lanë asnjë të dhënë për ta.

Më është dashur shumë për të bërë identifikimin e tyre. Por i quaj meritë më të madhe vetes punën që kam bërë për t’i shpëtuar nga shkatërrimi. Duke i u kthyer identifikimit, dua të përmend se nuk kam qenë vetëm unë që u mora me atë punë. Angazhova edhe kuadro të tjerë, si Ethim Dodonën, Proletar Hasanin, Jaho Brahajn.

-Çfarë materialesh janë flamujt?

Mëndafsh, lesh, pambuk, mëndafsh artificial.

-Ka flamuj të tjerë të paidentifikuar?

Në Fondin Etnografik ka disa flamuj, por nga Muzeu Kombëtar vijnë 13 copë, të cilët kanë edhe historinë e tyre. Të gjithëve ua di historinë në bazë të dokumenteve që ruhen në Arkivin e Shtetit. Aktualisht po përpiqem edhe për një identifikim të fundit, për të vendosur midis dy flamujve.

-Po me flamurin e pavarësisë…

Është interesante se në dy variante që jepen, në të dy variantet flamuri është djegur. Derisa askush nga pjesëmarrësit në mbledhje nuk ka dhënë ndonjë shpjegim, apo të ketë lënë shënime të sakta për këtë ngjarje, nuk do të dimë kurrë të vërtetën.

-Z. Stamati, momentalisht me çfarë jeni duke marrë?

Kam katër muaj që po rri. Po merrem me turizëm kulturor. Se si me duket vetja pa punë.

-Sa e vështirë është puna e një restauratori?

Unë nuk kam qenë vetëm në rolin e restauruesit, por edhe të studiuesit. Fillova për arkeometrinë, pra studimet në fushën e arkeologjisë me ndihmën e shkencave të natyrës, si kimi, fizike, etj. Shumë shpejt m’u kërkua që të shikoj edhe çështjen e konservimit të objekteve muzeale, ku kishte probleme të shumta dhe të vështira për t’u kaluar.

Si vështirësi, varet nga objektet që të vijnë në laborator. Shumë i vështirë dhe me përgjegjësi ka qenë epitafi i Glavinicës, mburoja prej bronzi e zbuluar në Apoloni, flamujt, një vazo qelqi nga Durrësi, thesaret e monedhave po nga Durrësi, shpatat damaskine, etj. Përgjithësisht më kanë rënë për hise objektet më të vështirë.

-Çfarë do të donit të restauronit dhe që nuk e keni bërë ende, cila është ëndrra juaj në këtë drejtim?

Çfarë do të dëshiroja të bëja? Është një rrotë qerreje prej hekuri, unikale, e zbuluar në Antigone. Po i bie copë. Po kështu janë flamujt, shpatat damaskine, një mburojë prej hekuri, po unikale e zbuluar në Dimal, etj. Nuk ka para dhe pa para nuk ka restaurim.

I jam drejtuar shumë herë ministrive pararendëse të Kulturës, duke u bërë me dijeni problemet, por kurrë ndonjëherë nuk kam marrë as edhe 5 qindarka për të financuar këtë punë. Një tjetër gjë që e ndjej si domosdoshmëri për Shqipërinë, është futja e shkencave të natyrës në trashëgimi, si bazë e trashëgimisë kulturore, gjë që Shqipërisë i mungon plotësisht. Por këto nuk janë çështje që mund të zgjidhen me anë të publikimeve në gazeta. Të them të drejtën jam shumë skeptik.

-Mendoj se personat që bëjnë profesionin tuaj duhet të jenë më shumë durim, çfarë ju nervozon dhe ju bënë që të humbi durimin në ditët e sotme?

Është e vërtetë. Mburoja e zbuluar në Apoloni, gjithsej tre në botë, u ngrit nga rrëmuja e pakuptueshme e 8153 copave. Kur kam restauruar një enë mesjetare prej qelqi të zbuluar në Durrës…ishte një punë që të rridhnin jo djerset, por nervat. Më shumë se një vit! Edhe të shtunë, edhe të diel.

Kushedi se sa herë thoja: të kem tani një çekiç ta thyej dhe ta bëj pluhur që të shpëtoj nervat e mija nga shkallimi! Ose një diademe e zbuluar në Kamenicë, 946 thërrime, ku përfundova dy herë në ambulancë nga rritja e tensionit falë përqendrimit të madh dhe lodhjes nervore.

Ndërsa kur kam larë epitafin e Glavinicës jam ngritur në orën 2 të natës dhe kam shkuar në Muzeun arkeologjik dhe i vija rrotull ndërtese derisa u hap dera në mëngjes dhe pashë se nuk kishte pësuar gjë gjatë tharjes. Çfarë më nervozon në ditët e sotme? Ka shumë gjëra për t’u nervozuar dhe për të ulëritur./dita/a.k


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu