Ky është sulmuesi në darkën e presidentit Trump: Ishte mysafir në të njëjtin hotel; CNN publikon detaje: “Bëhet fjalë për një mësues…”

I dyshuari për të shtënat gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë është identifikuar si 31-vjeçari Cole Thomas Allen nga Torrance, Kaliforni, sipas mediave amerikane dhe burimeve policore.

Allen i ka pranuar policisë se objektiv i tij kanë qenë zyrtarë amerikanë në këtë ngjarje që u mbajt në hotelin Washington Hilton, transmeton INA.

Autoritetet amerikane njoftuan se ai do të dalë para gjykatës të hënën dhe do të përballet me dy akuza – përdorim i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një agjenti federal me armë të rrezikshme, deklaroi prokurorja Jeanine Pirro nga Uashingtoni.

Sipas CNN, Allen ka punuar si ligjërues dhe programues i video-lojërave.

Sipas informacioneve të deritanishme, Allen ishte mysafir në hotelin ku mbahej ngjarja dhe më pas tentoi të depërtonte në pikën e kontrollit të sigurisë së Shërbimit Sekret. Gjatë incidentit pati shkëmbim zjarri mes tij dhe forcave të sigurisë, megjithëse numri i saktë i të shtënave ende nuk është konfirmuar.

Policia bën të ditur se ai ishte i armatosur rëndë (me një pushkë gjahu, pistoletë dhe disa thika) dhe se veproi i vetëm, pa shenja për përfshirjen e personave të tjerë. Sipas hetimeve paraprake, bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “ujk i vetmuar”.

Pas neutralizimit, ai u dërgua në spital për vlerësim, ndërsa autoritetet kanë nisur kontrollin e banesës së tij në Kaliforni në bashkëpunim me FBI dhe Shërbimin Sekret. Motivi i sulmit mbetet ende i panjohur.

Prokurorja Jeanine Pirro deklaroi se ai përballet me disa akuza serioze, përfshirë përdorimin e armës së zjarrit gjatë një vepre penale të dhunshme dhe sulm ndaj zyrtarëve federalë me armë të rrezikshme. Ngritja formale e aktakuzës pritet në fillim të javës.

Disa media raportojnë gjithashtu se ekziston një profil në LinkedIn që përputhet me emrin dhe fotografinë e të dyshuarit. Nëse këto të dhëna janë të sakta, Allen ka punuar si mësues në kompaninë C2 Education, që merret me përgatitje testesh dhe mësimdhënie. Sipas këtij profili, ai ka diplomuar në inxhinieri mekanike në California Institute of Technology në vitin 2017 dhe ka përfunduar master në informatikë në California State University Dominguez Hills vitin e kaluar.

Gjatë studimeve në Caltech, në vitin 2017, ai ishte përmendur në media lokale për zhvillimin e një prototipi frenash për karroca invalidësh. Sipas të dhënave të Komisionit Federal Zgjedhor, Allen kishte dhuruar 25 dollarë për fushatën presidenciale të Kamala Harris në tetor 2024. Megjithatë, këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu