Ky serb flet shqip më mirë se shqiptarët dhe “vdes” për Tiranën

Ndeshja e një jave më parë në Serbi mes Partizanit të Beogradit dhe “Skënderbeut” të Korçës më bëri që të zbuloj një personazh interesant.

Përkthyesi i konferencës për shtyp atje, Filip Vukadinovic, ra në sy të të gjithëve për shqipen e tij të pastër. Teksa e dëgjojë më fal një gëzim të vogël, të pashpjegueshëm, me shumë gjasë kjo ndjesi më vjen për faktin që ky djalë është serb dhe flet kaq mirë gjuhën tonë!

Kërkova dhe kontaktova me Filipin. Fola shqip me një serb, pa më të voglin problem! 28-vjeçari, ka jetuar për tri vite e gjysmë në kryeqytetin tonë ku ka studiuar gjuhën shqipe në Fakultetin Histori dhe Filologji.

Kohën e studimeve në Tiranë e kujton si një ndër më të bukurat në jetën e tij. Është pritur shumë mirë nga shqiptarët, mbi të gjitha ka ndjerë dashamirësin e tyre kur ata mësonin se ai ishte duke studiuar gjuhën shqipe.

Nuk është ndjerë në asnjë moment i paragjykuar dhe provokuar. Na tregon se ai dhe familja e tij ka qëndruar larg urrejtjes ndaj shqiptarëve duke theksuar se kjo ndjenjë nuk i shërben askujt!

Me Filipin folëm shkurt e shqip. Ai na tregoi më shumë për veten dhe marrëdhënien e tij me Shqipërinë në këtë intervistë për Dita-n.

-Filip, ju u shfaqët përpara disa ditësh si përkthyes gjatë konferencës për ndeshjen Partizani-Skënderbeu në Beograd. Po përkthenit në gjuhën shqipe. Si ishte për ju kjo eksperiencë?

Për mua kjo ishte një ditë e zakonshme pune, përveç faktit që ishim edhe përpara kamerave.

-E ndjeve vështrimin shqiptarëve pjesëmarrës dhe habinë e tyre për shqipen tënde shumë të mirë?

Sinqerisht, jo dhe aq shumë, duke qenë se isha i përqendruar tek puna. Vetëm pasi mbaroi konferenca për shtyp, e vura re që gazetarët kishin nga ndonjë pyetje edhe për mua.

-Kthehemi pak më herët në kohë. Kur dhe si kë dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?
Nuk e mbaj mend të këtë qenë ndonjë rast apo moment i caktuar, por me shumë mundësi do ta kem dëgjuar nëpër media ose në mësimet e gjeografisë në shkollën fillore.

-Në fëmijërinë tënde ke njohur shqiptarë?

Personalisht jo, njihja vetëm disa njerëz të famshëm me origjinë shqiptare siç janë Bekim Fehmiu, Fadil Vokri etj.

-Dihet që, një pjesë e mirë e serbëve nuk na kanë shumë qejf, për mos të thënë na urrejnë,ti si i ke shpëtuar kësaj ndjenje?

Thjeshte asnjëherë nuk kam vuajtur nga ky lloji i urrejtjes ndaj kujtdo si dhe edukimi im familjar nuk është i tillë. Jam i mendimit që gjërat e tilla janë të pakuptimta dhe nuk i sjellin të mirën askujt.

-Pse vendose të studiosh një gjuhë si shqipja?

Nga njëra anë më ka pëlqyer shumë si gjuhë, është shumë e veçantë dhe nuk ngjan me asnjë gjuhë tjetër, mund ta quaj edhe ekzotike. Nga ana tjetër, mendoj se studimi i gjuhës shqipe është një hap i mirë sepse shqipja është gjuha e dytë e Ballkanit për nga numri i folësve, pas serbo-kroatishtes dhe duke qenë se atë e kam amëtare, njohja e gjuhës shqipe pothuajse ma ka “rrumbullakosur” njohjen e gjuhëve te Ballkanit.

-Dëshira jote a hasi rezistencë në familje, a ishin ata dakord për këtë dëshirë tënden?

Në familje gjithmonë kam pasur mbështetje, edhe pse askush nuk e priste këtë vendim timin. Në fillim, normalisht, ime më ka qenë pak e merakosur sepse nuk e dinte nëse do të kem punë nesër kur të mbaroj shkollën.

-Ndiheshe ndryshe për degën që kishe zgjedhur?

Në një farë mënyre po, sepse ishte duke studiuar në një degë të rrallë dhe sa herë që ndodhesha diku ku flitej për studimet, unë isha ai të cilit gjithmonë i bënin pyetje shtesë.

-Si erdhe në Shqipëri dhe si të pritën këtu, çfarë mban mend nga ditët e para?

Në Shqipëri kam ardhur për herë të parë në vitin 2011, në shtator, për të ndjekur Kursin veror të gjuhës shqipe i cili mbahet çdo vit në Fakultetin Filologjik të Tiranës për studentet e huaj të gjuhës shqipe. E mbaj mend që Tirana më ngjante pak me Podgoricën për shkak të klimës, terrenit, vegjetacionit etj.

Mbaj mend një qytet pak të rrëmujshëm por me shpirt dhe mikpritje, me njerëz të ngrohtë të cilët gjithmonë kishin durim për t’u marre vesh me një të huaj i cili përpiqej të zotëronte gjuhën e tyre.

-Ke qëndruar për tri vite në Tiranë, si ka qenë kjo kohë për ty?

3 e gjysmë, më saktë. Këto ishin vite të cilat do të mbahen mend tërë jetën. Në këto tre vite kam mësuar shumë gjera, jo vetëm nga gjuha por edhe nga jeta. Kam krijuar shumë miqësi të vyera, kam pare ca vende përrallore dhe në përgjithësi jam shumë i kënaqur me qëndrimin tim në Shqipëri. Natyrisht, atje ende ka shumë për t’u parë dhe mezi pres të shkoj prapë.

-Ke bërë miq në Tiranë, i mban kontaktet, vjen shpesh?

Patjetër, kontaktet i mbajmë rregullisht. U largova nga Tirana para më pak se 4 muajsh dhe akoma nuk kam bërë ndonjë udhëtim për në Shqipëri por siç e thashë, dua të shkoj prapë dhe e kam në plan.

-Si reagonin kur u thoshe që ishe serb?

Shpesh herë ishin të hutuar sepse nuk e besonin që përpara kishin një të huaj që fliste shqip në atë mënyrë, sidomos që ai ishte edhe nga Beogradi i Serbisë J. Zakonisht të gjithëve u vjen mirë dhe më shtrijnë dorën duke komplimentuar përpjekjen time për ta mësuar gjuhën shqipe.

-Ka ndodhur ndonjëherë të kesh patur debate?

Nuk ka ndodhur asnjëherë. Shoqërinë e kam zgjedhur me vëmendje dhe debate të tilla nuk kanë patur vend tek ne.

-Kishin kuriozitet për këtë dashurinë tënde mbi shqipen?

Normalisht po, por unë tashmë isha mësuar më kuriozitetin e njerëzve në lidhje më studimet e mia që në Beograd, kështu që pyetjet dhe interesimi i njerëzve nuk kanë qenë ndonjë gjë të re për mua.

-Përveç Tiranës, e keni vizituar Shqipërinë, cili është qyteti që ju pëlqen me tepër?

Akoma ka disa vende të veçanta të cilat nuk i kam vizituar ende, por deri tani më ka pëlqyer shumë qyteti i vjetër i Beratit.

-E ke ndjekur ndeshjen e Serbisë me Shqipërinë në Beograd në 2014, a ke një mendim tëndin për situatën që u krijua aty?

Ndeshjen nuk e kam parë Live, por e di që epilogun e saj nuk e kam pritur aspak. Ishte një provokim i pahijshëm, i pasuar me një reagim akoma më të pahijshëm. Një incident i panevojshëm i cili ka lëkundur fortë marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

-Do martoheshe me një shqiptare?

Nuk do ta kisha problem J.

-Me çfarë po merresh aktualisht në Serbi?

Aktualisht punoj si freelance përkthyes, shpresoj vitin tjetër te vazhdoj studimet e doktoraturës ne Beograd .

-Cila ishte lagjja jote kur jetoje në Tiranë?

Në Tiranë kam ndërruar disa shtëpi, por më gjatë kam ndenjur te “Rruga e Kavajës” të “Xhamia: dhe mbrapa Ministrisë së Drejtësisë në krah të rrugës “Fortuzi”.

-Besojmë kemi shumë tradita të ngjashme, gjatë kohës që ke qëndruar këtu, çfarë të ka bërë përshtypje në zakonet shqiptare?

Ishte pikërisht kjo ngjashmëria e zakoneve e cila më ka bërë më shumë përshtypje. Nuk e di se çfarë mund të veçoj nga zakonet por duket qartë që të gjithë jemi ballkanas, shoqëritë patriarkale, kemi një shpirt të ngrohtë mikpritës por edhe gjakun e nxehtë

Edhe humorin e kemi shumë të ngjashëm dhe besoj se kjo është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin shoqëror. Mendoj se një serb dhe një shqiptar, pavarësisht nga barriera gjuhësore, mund të merren vesh më kollaj me njëri tjetrin se sa me të huajt e tjerë dhe kjo gjë është provuar shumë herë dhe në shumë vende të botës, edhe pa llogaritur rastin tim konkret.

-Mund të na tregosh situatën më të çuditshme që ke hasur në Shqipëri?

S’kam si të veçoj një situatë të caktuar por ka disa gjera apo fenomene të cilat kanë qenë të çuditshme për mua. Këtu bëhet fjalë p.sh. për thertore informale buzë rrugëve, shitjen e pulave të gjalla rrugëve të kryeqytetit, mungesën e koshave për mbeturinat… Ne fillim e kisha vështirë të mësohesha me lekët e vjetra/lekët e reja ama ja mora dorën shpejt.

-Cili është personazhi i famshëm shqiptar për të cilin ke simpati?

Nuk di të them për këtë pjesë, por kam respekt te madh për stafin pedagogjik të fakultetit tim si dhe për artistet dhe shkrimtaret shqiptare, më pëlqejnë shumë veprat e Dritëro Agollit.

-A do të punojë në Shqipëri, nëse do të jepej mundësia?

Patjetër, do te ndihesha si në shtëpinë time sepse Tirona është shtëpia ime. /Entela Resuli-DITA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu