Lajm i Fundit/ Arrihet marrëveshje mes BDI dhe VMRO për qeverinë 

Burime brenda dy partive qeveritare BDI dhe VMRO-DPMNE për portalin tonë kanë raportuar se një marrëveshje për bashkëqeverisje mes tyre tanimë është arritur, shkruan Fakte. Sipas këtyre burimeve, gjatë ditëve të kaluara në kontinuitet dhe me intensitet të shtuar, ekipe nga të dy palët kanë dakorduar vazhdimin e bashkëqeverisjes.

Sipas kësaj marrëveshje, për shkak të pozitës së pavolitshme të partisë së Gruevskit, ajo ka bërë koncesione të reja në favor të partnerit shqiptar. Kështu në mandatin e ardhshëm, pozita shtesë udhëheqëse me të cilat do të udhëheqin kudro integriste do të jenë: Kryetari i parlamentit, Ministri për punë të brendshme, Ministri për mbrojtje, njëri nga drejtorët në kuadër të MPB-së (BSP ose DSK) që do të definohet brenda ditëve si dhe pozita e Ministrit për transport dhe lidhje. Sipas burimeve, tanimë partnerët e vjetër/të rinj janë dakorduar edhe për përzgjedhjen kadrovike.

Përveç dikasterëve shtesë, VMRO ka pranuar edhe avansimin e përdorimit të gjuhës shqipe, kryesisht në punën e Kuvendit ku parashihet që Kryetari i Kuvendit të ketë të drejtë të udhëheq me seanca edhe në gjuhën shqipe, si dhe përdorim i shqipes në suaza të legjislacionit ekzistues e që në të kaluarën funksionarët e VMRO-së e kanë anashkaluar. Shtylla tjera të programit të ardhshëm qeveritar do të jenë edhe reformat në administratë si dhe angazhimi i qverisë për integrim të vendit në NATO dhe në BE.

Ndryshe, publikisht BDI ka deklaruar se deri më tani nuk ka zhvilluar negociata me asnjërën nga partitë maqedonase, ndërsa ka realizuar koordinim me partitë parlamentare shqiptarë për unifikim të qëndrimeve të përbashkëta.

Ka qenë evidente edhe ndërhyrja e kreut të shtetit shqiptar për bashkërenditjen e partive politike shqiptare në Maqedoni, ku Edi Rama ka kërkuar që partitë shqiptare të unifikuara të marin qëndrim nëse do hyjnë në qeverinë e re ose jo.

Nga dy partitë të cilat së bashku kanë 61 deputet, numër ky i mjaftueshëm për të votuar qeverinë e re, por i pamjaftueshëm për funksionim normal të mazhorancës, presin përkrahje nga partitë më të vogla me qëllim të përfitimit të komoditetit në funksionim, edhe atë kryesisht nga PDSH-ja që ka 2 deputetë dhe nga Aleanca për Shqiptarët që ka 3 deputetë. Sipas burimeve, pritet moment i volitshëm për publikimin e marrëveshjes së arritur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu